Kryetari i komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka vizituar fabrikën e ujit në fshatin Shajkoc, për të kuptuar më shumë për shkaqet që kanë sjellë reduktime ditët e fundit, përcjell InLajmi.
Bulliqi u takua me drejtorin e KRU “Prishtina”, Sokol Xhafën dhe diskutuan për kapacitetet e ujit si dhe për inspektimin e keqpërdoruesëve të tij.
Ai përmes një shkrimi në Facebook tha se po bëhen përpjekje për të zgjidhur çështjen e ujit, duke shtuar se kapacitetet nuk janë të mjaftueshme.
“Sot bashkë me z. Sokol Xhafa, drejtor i KRU “Prishtina” vizituam fabrikën e ujit në Shajkoc, për t’u informuar për shkaqet që po çojnë deri te reduktimet që na kanë shoqëruar ditëve të fundit. Me drejtorin Xhafa diskutuam për kapacitetet që i kemi në dispozicion dhe u pajtuam që të shfrytëzojmë gjithë potencialin tonë me qëllim të përmirësimit të kësaj situate me mungesën e ujit të pijes sepse situata është alarmante.”
“Po bëjmë përpjekje maksimale të gjejmë alternativa që të bëjmë zgjidhje permanente, por kapacitetet janë shumë të limituara. Në fund u dakorduam që nga java e ardhshme t’i bashkërendojmë aktivitetet në terren për inspektimin e keqpërdoruesve të ujit. Të gjithë jemi përdorues të ujit, andaj secili nga ne duhet të jetë më i përgjegjshëm në përdorimin e tij!”, tha Bulliqi.
Ndërsa, menjëherë pas shkrimit të tij, ai është kundërshtuar nga deputeti i LVV-së, nga Podujeva Driton Hyseni, i cili tha se reduktimet e ujit janë të mëdha por nuk janë keqpërdoruesit e ujit faktorë kryesorë të kësaj gjendjeje.
“Personalisht mendoj se reduktimet e ujit në Llap janë aq të mëdha saqë edhe po të ketë ndonjë keqshfrytëzues të ujit nuk është se paraqesin faktorët kryesor që imponojnë reduktimet. Mosmenaxhuesve të mirë të ujësjellësit skemi pse u japim alibi e të fajësojmë qytetarët e devotshëm llapjanë që secilën verë vuajnë për një të drejtë njerëzore të garantuar!”, ka shkruar Hyseni./InLajmi/