Një euro-deputete franceze ka hedhur kritika shumë të ashpra në drejtim të presidentit Macron për takimin që ai pati të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Bëhet fjalë për Dominique Bilde, eurodeputeten franceze e cila teksa ka kritikuar Macronin, ka dhënë cilësime të rënda për Kosovën.
Ajo me anë të një postimi në Twitter, ka nënvizuar faktin se Kosova nuk është njohur ende nga 5 vende të BE-së.
Madje ka thënë se Kosova është e rrënuar nga krimi dhe islami radikal.
“E panjohur nga pesë shtete anëtare, e rrënuar nga krimi dhe Islami radikal, Kosova megjithatë do të ishte e mirëpritur në BE. Ne pyetëm veten se si do të dukej BE-ja pas Brexit. Tani kemi përgjigjen. #Macron”, ka shkruar ajo, përcjell EO.
“Kosova do të ishte e mirëpritur në BE”, ka shkruar ajo për shkak se ky është titulli që ia ka vënë takimit Kurti-Macron, gazeta franceze “Le Figaro”, duke iu referuar qëndrimeve të presidentit të Francës.