Kandidati për komunën e Prizrenit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Shaqir Totaj ka hedhur akuza të rënda ndaj menaxhimit të shëndetësisë në këtë komunë, përcjell InLajmi.
Totaj ka thënë se shëndetësia proklamohet nga qeverisja lokale, sikur është duke lulëzuar, por në realitet ata po i hedhin hi syve të qytetarëve me marketing fiktiv dhe po shpërfaqin veten e tyre duke treguar sa jo profesional dhe jo kopetent janë për të drejtuar qytetin.
Ai ka shtuar se aparaturat e panevojshme dhe mungesa e materialeve: Janë blerë aparatura të sofistikuara për Kardiologjinë dhe janë dërguar në Urgjencë, ku nuk ka staf adekuat për përdorimin e tyre. Materialet për teste serologjike kanë munguar për një kohë të gjatë, poashtu kanë munguar dhe testet e vitaminës D dhe D-dimer
Postimi i plotë i tij:
Kaosi në Shëndetësi në Komunën e Prizrenit!
Menaxhimi jo adekuat në institucionet e qytetit tonë tashmë është bërë shumë i dukshëm, i ndjeshëm dhe i dëmshëm për jetën sociale të qytetarëve dhe shëndetin e tyre.
Shëndetësia proklamohet nga qeverisja lokale, sikur është duke lulëzuar, por në realitet ata po i hedhin hi syve të qytetarëve me marketing fiktiv dhe po shpërfaqin veten e tyre duke treguar sa jo profesional dhe jo kopetent janë për të drejtuar qytetin.
Sektori i Shëndetësisë është në gjendje të mjerueshme, përkundër faktit që periudha në të cilën po kalojmë do të donte kujdes të veçantë dhe menaxhim me kapacitete maksimale dhe të shtuara. Përveç se e menaxhuar keq, shëndetësia në Prizren përballet dhe me mungesë meritokracie ne konkurse, nepotizëm dhe mungesë të materialeve.
Konkurset dhe Nepotizmi: Punësimet e familjarëve, miqve, bashkëpartiakëve nuk kanë të ndalur. Tashmë për të realizuar marrjen në punë të këtyre individëve, konkurset po shtyhen, po ngrihen, po kalojnë muaj të tërë pa u realizuar, pasiqë janë në pritje që familjarët e bashkëpartiakët të diplomojnë, po presin që këto pozita të i mbushin duke fituar poena politik afër zgjedhjeve.
Aparaturat e panevojshme dhe mungesa e materialeve: Janë blerë aparatura të sofistikuara për Kardiologjinë dhe janë dërguar në Urgjencë, ku nuk ka staf adekuat për përdorimin e tyre. Materialet për teste serologjike kanë munguar për një kohë të gjatë, poashtu kanë munguar dhe testet e vitaminës D dhe D-dimer. Në Qendrat e Mjekësisë Familjare materialet stomatologjike janë të kualitetit jashtëzakonisht të dobët; miq, koleg, punonjës e pacient kanë denoncuar tek ne vazhdimisht mungesën e kualitetit të produkteve stomatologjike, sidomos të anestezioneve të cilat janë duke krijuar problematika në procesin e punës.
Gjithë këto dëme janë të lidhura drejtë për së drejti me shëndetin tonë, shërbimet tona publike dhe kualitetin e jetës sonë në përgjithësi, të cilat janë degraduar, janë keq-menaxhuar dhe janë nëpërkëmbur nga Qeverisja Lokale në Prizren, prandaj ky proces i keqqeverisjes duhet të ndaloj e duhet të ndëshkohet nga qytetarët e Prizrenit, të cilët meritojnë qeverisje me integritet, dinjitet dhe me përkushtim! /InLajmi/