Një fushatë kundër kompanisë Apple ka nisur nga punonjësit e saj, pas planeve të Tim Cook për rikthimin dhe vazhdimin e punës në zyra, transmeton InLajmi.
Shefi i Apple, Cook, ka kërkuar që të paktën 3 ditë në javë punonjësit të jenë të pranishëm në zyra deri në muajin Shtator. Por, stafi i kompanisë po kërkon më shumë fleksibilitet duke dashur që të vazhdojnë punën nga shtëpia.
BBC raporton se nga një letër e brendshme, marrë nga faqja e lajmeve The Verge, thuhet se politika e Apple tashmë ka detyruar disa kolegë të lënë punën.
“Pa përfshirje që sjell fleksibiltet, shumë prej nesh mendojmë se duhet të zgjedhim midis familjeve, mirëqenies sonë dhe kombinimit të punës në mënyrën më të mirë ose të jemi pjesë e Apple”,shkruhet në letër.
Duke akuzuar menaxhmentin për një shkëputje me punonjësit rreth punës në distancë, letra vazhdon me akuzat se punonjësit janë ndier të padëgjuar dhe të injoruar në mënyrë aktive.
Përkundër Apple, gjigandët e tjerë të teknologjisë kanë marrë një qasje më të relaksuar për kthimin në punë, duke pritur që kufizimet e pandemisë të lehtësohen në të gjithë botën.
Facebook ka njoftuar se beson se puna në distancë është “e ardhmja” dhe prandaj stafi mund të vazhdojë të punojë nga shtëpia. Ndërsa Twitter që në maj të vitit 2020, i është drejtuar stafit të tij se mund të punojnë nga shtëpia “përgjithmonë”, por duke tërhequr vërejtjen që të mos dalin nga roli i punonjësit./InLajmi/