Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të Rrjetit të Grave të Kosovës, përcjell InLajmi
Përfaqësueset e këtij Rrjeti, përmes llogarisë Facebook kanë njoftuar se i kanë dhënë mbështetje punës së deritashme të Presidentes Osmani, duke e vlerësuar angazhimin e saj për fuqizimin e pozitës së grave dhe duke e konsideruar rolin e saj të domosdoshëm në përpjekjet për gjithpërfshirjen e grave në të gjitha proceset.
RrGK-ja, tutje ka kërkuar mbështetjen e Presidentes për ndryshimet në Ligjin zgjedhor.
Ato kërkuan që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme të jetë në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, për të cilën gjë kanë marrë mbështetjen e Presidentes.
Presidentja Osmani, ndërkaq ka theksuar se përgjatë mandatit të saj, çështja e barazisë gjinore është një nga prioritetet e saj së bashku me të drejtat e fëmijëve me nevoja të veçanta, sikurse edhe me agjendën e gjelbër.
Në këtë takim, RrGK-ja, ka shtruar nevojën e përfaqësimit të grave edhe në procesin e dialogut me Serbinë.
Postimi i plotë:
RrGK takohet me Presidenten Osmani-Sadriu, zotohen për avancimin e barazisë gjinore
✅Gjatë ditës së sotme, përfaqësuese të RrGK-së kanë vizituar Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun, për ta uruar atë për këtë post, si dhe për të diskutuar së bashku për mundësitë e bashkëpunimit për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë.
✊Ndër çështjet që u diskutuan ishin: përputhja e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme me Ligjin për Barazi Gjinore, koordinimi i mëtejshëm për ta luftuar dhunën dhe ngacmimet seksuale ndaj grave, si dhe përfshirja e grave në dialogun Kosovë-Serbi përmes grupit të ekspertëve.
Kurse, në linkun e mëposhtëm mund të lexoni letrën që RrGK i ka dërguar Osmani-Sadriut me rastin e zgjedhjes së saj në krye të Presidencës: /InLajmi/