Pas pretendimeve se shteti rus qëndron prapa sulmeve kibernetike që kanë ndodhur në SHBA, Presidenti rus Vladimi Putin i ka cilësuar ato si përpjekje për të nxjerrë telashe pak para takimit që do të mbajë këtë muaj me Presidentin amerikan Joe Biden, transmeton InLajmi.
Putin, tha të premten se sugjerimet që shteti rus është i lidhur me sulme kibernetike të profilit të lartë në Shtetet e Bashkuara janë absurde.
“Është thjesht marrëzi, është qesharake, është absurde të akuzosh Rusinë për këtë,” u shpreh Presidenti rus për televizionin publik të vendit.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, nga Shtëpia e Bardhë kanë thënë të mërkurën se Biden, i cili pritet të zhvillojë bisedime me Putinin në Gjenevë në 16 Qershor, do të diskutojë rreth sulmeve të piraterisë me udhëheqësin rus për të parë se çfarë mund të bëjë Moska për t’i parandaluar ato.
Ndërkohë, zyrtarë amerikanë kanë folur për banda kriminale të vendosura në Evropën Lindore ose në Rusi si fajtorë të mundshëm. Por, edhe kritikët e Kremlinit kanë drejtuar gishtin nga vetë shteti rus, duke thënë se Putin duhet të ketë pasur njohuri për sulmet dhe ndoshta edhe mund t’i ketë drejtuar ato./InLajmi/