Emisarëve amerikanë e evropianë për dialogun, presidenti i Serbisë kur i takoi mbrëmë u tregoi se me çfarë epitetesh e quajnë në publik.
Ndërkaq sot në një adresim të jashtëzakonshëm, Aleksandar Vuçiq tha se 2-shja diplomatike do i bëjnë presion palës kosovare sidomos në raport me respektimin e objekteve e pronave të Kishës Ortodokse Serbe që janë në Kosovë.
“Ata ia kanë tërhequr Prishtinës vërejtjen dhe këtu s’ka asnjë dyshim. Matthew Palmer ka qenë shumë i fortë në këtë çështje. Para së gjithash ne biseduam për Manastirin e Deçanit sepse është më i rrezikuari dhe pala e Kosovës nuk do të zbatojë vendimet e gjykatave të veta”, theksoi Vuçiq.
Ai thotë se mund të ketë reagim të ashpër të serbëve në Kosovë e çdo kund tjetër nëse, sipas tij, ka tendenca për t’u marr trafostacioni Vallaq që ndodhet në Zubin Potok.
E ripërsërit se nuk nënshkruan ujdi për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Edhe një herë e thotë çka do të thotë zgjidhje kompromisi.
“Duhet diçka që asnjëra nga palët të mos fitojë gjithçka. Edhe njëra edhe tjetra palë duhet të humb diçka dhe të jenë njëjtë të pakënaqura, e kjo do të ishte kompromis. Por është e pamundur që të hyjë në detaje sepse me këtë do t’i bëja dëme të mëdha Serbisë dhe interesave të saj”.
Sipas Vuçiqit, është çështje ditësh kur do thirret takimi mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në Bruksel.
Nënshkruesi i marrëveshjes për normalizimin ekonomik me Kosovën në Shtëpinë e Bardhë po thotë se zor që pala e tij e përmbush një pikë të ujdisë.
Më 1 Korrik, Serbia po sipas pajtimit të Washingtonit e bart ambasadën e saj në Jerusalem.
“Nuk ka asnjë përparim sa i përket bartjes së ambasadës së Serbisë nga Tel Aviv në Jerusalem. Në këtë temë jemi në bisedime të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe me Bashkimin Evropian. Nga ujdia e Washingtonit shqiptarët s’kanë përmbushur asgjë. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Izraelit ka ndryshuar shumëçka”, shkruan KlanKosova.
Si derivat i firmosjes së 4 Shtatorit 2020, Kosova ka nënshkruar njohjen reciproke me Izraelin dhe ka bartur ambasadën e saj në Jerusalem.