Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Drejtorin e Evropës në Ministrinë Britanike për Punë të Jashtme dhe Zhvillim, Giles Portman. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Nicholas Abbott, përcjell InLajmi.
Portman uroi kryeministrin Kurti për marrjen e detyrës dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë britanike për të vazhduar të përkrahë Kosovën, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.
Duke e falënderuar Portman për ndihmën dhe përkrahjen që shteti britanik i ka dhënë Kosovës, kryeministri Kurti tha se ai është i përkushtuar që Qeveria që udhëheq të thellojë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për ndihmën rreth njohjeve për Kosovën dhe kërkoi bashkëpunim të mëtejmë me Mbretërinë e Bashkuar për njohje të reja.
Kryeministri Kurti dhe Portman biseduan në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe procesin e përgatitjes për dialog. Po ashtu u bisedua për gjendjen me pandeminë dhe masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe rimëkëmbjen ekonomike. Portman potencoi faktin që pasi Britania është jashtë BE-së, është rritur mundësia për fuqizim të bashkëpunimit bilateral.
Të 2 palët shtruan nevojën për investime të reja, të cilat do të sjellin punësim, veçanërisht për të rinjtë. Në këtë drejtim kryeministri e potencoi nevojën e ardhjes në Kosovë të brendeve të mëdha, në formë partneriteti me ndërmarrësit shqiptarë nga mërgata. /InLajmi/