Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një prezantim që pati të martën për publikun gjermanisht folës, bëri të qartë se prioriteti i kryesor i qeverisë Kurti, është luftimi i pandemisë dhe i korrupsionit.
Në prezantimin e saj të parë para publikut gjermanisht folës, ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, u bëri thirrje pjesëtarëve të mërgatës kosovare në Gjermani që të vaksinohen përpara se të vijnë në Kosovë, për pushime: “Ne nuk kemi vaksina,” tha ajo.
“Deri tani kemi arritur të sigurojmë vetëm 60 mijë vaksina. E ato nuk na mjaftojnë as për 10% të popullsisë. Tani po vjen vera dhe të gjithë do të kthehen për pushime. Prandaj ju lutem të gjithëve para se të vijnë në Kosovë që të vaksinohen”, tha Gërvalla-Schwarz, përcjell DW.
Me këtë deklaratë, ajo bëri të qartë njëkohësisht edhe se në cilën fushë qeveria e Kosovës ka nevojë për ndihmë imediate: Atë të luftimit të pandemisë dhe konkretisht sigurimit të vaksinave. Edhe luftën kundër korrupsionit ajo e deklaroi si prioritet kyç: “Ky është shkaku se përse jemi zgjedhur, sepse ua kemi shpjeguar njerëzve se do ta shërojmë Kosovën nga kjo sëmundje”, tha Gërvalla.