Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka reaguar ndaj Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti pasi sipas tij Kurti kohëve të fundit po merret më shumë me zgjedhjet në Shqipëri, përcjellë InLajmi
Ai tha se Qeveria Kurti nuk po jepë përgjegjësi për të prekurit nga koronavirusi, apo ata që janë të rrezikuar për jetë.
“Në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet”, tha Abdixhiku
Postimi i plotë i tij:
Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi.
Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!

Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.
Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi! /InLajmi/