Kryeministri Albin Kurti, në javën e parë të marrjes së detyrës i ka emëruar 4 zëvendësministra.
Në pozitën e zëvendësministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka vendosur Hysen Durmishin. I njëjti shërbente përgjatë mandatit të parë të Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, si ish-drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës
Ndërkaq, në dikasterin e Mbrojtjes, personin e dytë më të rëndësishëm Kurti e ka bërë Enver Dugollin. I njëjti ka shërbyer në këtë pozitë edhe përgjatë Qeverisë Kurti një.
Blerim Sallahu, përfaqësues ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili përfaqësonte këtë parti gjatë seancës publike të Gjykatës Kushtetuese për legjitimitetin e votës së deputetit Etem Arifi që ndihmoi në formimin e legjislaturës së shtatë, është vënë si zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë.
Ilir Aliu është vendosur si zëvendësministër në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.
Përveç Sallahut, tre zëvendësministrat e tjerë ishin pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.
Të gjitha këto emërime janë bërë të ditur nëpërmjet një komunikate dërguar medieve nga Zyra e Kryeministrit., shkruan Gazeta Express.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në javën e parë të marrjes së detyrës i ka emëruar katër zëvendësministra, të cilët i ka uruar për pozitën e re dhe u ka dëshiruar suksese në plotësimin e synimeve dhe përgjegjësive të tyre”, thuhet në komunikatë.