Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi të dielën ku dyshohet se një burrë vrau gruan e tij. Ato kanë shprehur indinjatën e thellë për këtë rast duke thënë se do të ngrenë zërin për të kërkuar drejtësi për këtë grua, ashtu si për çdo grua tjetër, përcjellë InLajmi.
RrGK ka bërë të ditur se do të përpiqen ta ndalin dhunën ndaj grave si dhe te gjejnë drejtësi për gratë e vrara. Sipas tyre ka shumë raste kur burrat që kanë vrarë grate janë dënuar shumë pak dhe për këtë nuk ka marrë përgjegjësi askush.
“Kush merr përgjegjësi për këtë vrasje? Çfarë drejtësie do të marrë gruaja e vrarë? Edhe sa herë duhet t’i lexojmë lajmet e tilla të përsëritura?
Ato kanë theksuar se Kosova duhet të krijojë politika që parandalojnë dhunën dhe vrasjen e grave dhe institucionet e drejtësisë duhet t’i trajtojnë me shumë seriozitet këto raste.
“Shteti i Kosovës duhet të krijojë politika për parandalimin e dhunës dhe vrasjeve së grave. Duke fuqizuar arsimin dhe ekonominë, për të kontribuar në pavarësimin e vajzave dhe grave, djemve e burrave; institucionet e drejtësisë duhet të jenë më të zëshme karshi vrasjeve së grave, t’i trajtojnë rastet e dhunës me baza gjinore me seriozitet si dhe dënimet për dhunuesit e vrasësit të jenë më të larta”-thuhet në komunikatën e tyre. /InLajmi/