Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij vendi, për caktimin e masës së paraburgimit për dyshuarin i cili e ka rrahur një person, ku ky i fundit pas lëndimeve ka vdekur, përcjellë InLajmi.
Sipas njoftimit nga kjo gjykatë behët e ditur se pas analizave të dëshmive, i dyshuari me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor tani të ndjerit.
Postimi i plotë nga Gjykata Themelore në Ferizaj:
Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.SH. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 2 nën paragrafi 2.1 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Kadrije Goga – Lubishtani, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 21 shkurt 2021, në fshatin Bibaj – Komuna Ferizaj, me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor tani të ndjerit A.L., në atë mënyrë që pas një fjalosje, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, ku si pasojë e kësaj goditje rrëzohet në tokë-beton dhe pëson lëndime trupore, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara i njëjti ndërron jetë./InLajmi/




















