Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka uruar fillimin e fushatës për zgjedhjet e 14 Shkurtit, duke përgëzuar qytetarët, kandidatët për Kuvend si dhe partitë politike, duke potencuar se këto“zgjedhje të mira e të suksesshme, ua kemi detyrim gjeneratave të tëra që ju mungoi kjo e drejtë”, përcjell InLajmi.
Rezultati zgjedhor nga 14 Shkurti, qoftë ditë e vijimit të fuqizimit të shtetit tonë, të ndërtuar mbi vuajtjet shekullore të gjeneratave të tëra që dhanë gjithçka për Kosovën dhe të ardhmen e ndritur të saj, ka shkruar Lladrovci në rrjetin social.
Ja postimi i plotë i tij:
Qytetarë të Republikës, urime fillimi i fushatës zgjedhore!
Ashtu sikur deri më tash, në shtetin tonë, uroj të vazhdojmë me traditën e shkëlqyer për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Zgjedhje të mira e të suksesshme, ua kemi detyrim gjeneratave të tëra që ju mungoi kjo e drejtë.
Kjo e arritur nëpërmjet zgjedhjeve, është hap i madh që të jemi brenda shteteve të konsoliduara dhe vlera të qëndrueshme demokratike.
Sot, uroj nga zemra qytetarët, kandidatët për Parlament si dhe partitë politike për fillimin e fushatës zgjedhore.
Rezultati zgjedhor nga 14 Shkurti, qoftë ditë e vijimit të fuqizimit të shtetit tonë, të ndërtuar mbi vuajtjet shekullore të gjeneratave të tëra që dhanë gjithçka për Kosovën dhe të ardhmen e ndritur të saj.
Uroj, sikur deri më tani, të konfirmojmë vullnetin qytetar me institucione demokratike e kredibile për të qeverisur Republikën e Kosovës me vlera dhe synime euro-atlantike.
Urime. Fushatë të mbarë dhe të suksesshme! /InLajmi/