Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, me rastin e 30 dhjetorit – Ditës së Veteranëve, ka theksuar se në këtë ditë përkujtohen me krenari dhe respekt luftëtarët shqiptarë të të gjitha kohërave, shokët e rënë, lavdinë dhe fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell InLajmi.
Duke uruar këtë ditë, për të gjithë bashkëluftëtarë, Gashi ka kërkuar që kjo ditë të shërbejë si thirrje për realizimin e idealeve të atyre që ranë për liri.
Postimi i tij i plotë:
“Të nderuar bashkëluftetarë,
Sot, në kushte normale, do të ishim bashkë për të shënuar, Ditën e Veteranit, ditën tonë të përbashkët, si rrjedhojë e situatës me pandemi, po e shënojmë të ndarë por më të bashkuar se kurrë, duke kujtuar me krenari dhe respekt luftëtarët shqiptarë të të gjitha kohërave, shokët e rënë, lavdinë dhe fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo ditë sjellë në kujtesën tonë edhe betejën e parë të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, aty ku nisi rrugëtimi i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit!
Veteranët e luftës së UÇK-së, dëshmoret dhe heronjtë e saj, janë shembull i sakrificës dhe luftës së pastër për liri, që meritojnë dhe do ta kenë respektin e përhershëm ndër breza dhe kjo ditë le të shërbejë si thirrje që të vazhdojmë të punojmë së bashku në realizimin e idealeve të atyre që ranë për çlirimin e vendit!
Bashkëluftetarë e miq, Urime kjo ditë e veçantë-Dita e Veteranit!”./InLajmi/