Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla është shprehur se Serbia është shteti i parë në botë i përfshirë në kontrabandë të vaksinës anti-Covid, përcjell InLajmi.
Ajo këtë e ka thënë referuar faktit se Serbia i ka futur ilegalisht vaksinat anti-Covid në veri të Kosovës.
Postimi i plotë i saj:
“SERBIA SHTETI I PARË NË BOTË I PËRFSHIRË NË KONTRABANDË TË ‘VAKSINËS Anti-Covid’
Vuçiq nuk po arrin të shkëputet nga profesioni i tij i parë – roli i propaganduesit e mohuesit të fakteve.
Propaganda është mjeti i tij i preferuar me të cilën ai tenton të hedhë mjegull sa herë që zihet ngushtë e ballafaqohet me të vërtetën.
Kështu ka vepruar edhe dje, teksa paska reaguar ndaj deklaratës sime për futjen ilegale e në mënyrë të kontrabanduar të ‘vaksinave’ në territorin e Republikës së Kosovës.
Në vend se të përgjigjet për shkeljen e marrëveshjeve të arritura, ai në rolin e tij të natyrshëm pyet se ‘cilën pikë të marrëveshjes e ka shkelur Serbia?!’
Vetëm sa për rikujtim, edhe në webfaqen e qeverisë së tij i ka të botuara marrëveshjet e Brukselit, përfshirë njoftimin zyrtar për arritjen e marrëveshjes për njohjen reciproke të certifikatave të produkteve medicinale në 2015. Ajo marrëveshje saktëson se produktet farmaceutike që vijnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas – duhet t’i nënshtrohen procedurave të regjistrimit/aprovimit tek autoritetet kompetente shtetërore dhe në asnjë formë nuk mund të kontrabandohen.
Ndalimin e kontrabandës dhe ndërhyrjeve ilegale në Kosovë, i ka të sanksionuara edhe në marrëveshjet tjera, përfshirë atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit si dhe në kapitullin 35 të negociatave me BE-në.
Dhe jo vetëm kaq! Përmes strukturave paralele, Serbia pengon zbatimin edhe të shumë marrëveshjeve tjera, duke filluar me njohjen reciproke të diplomave, qarkullimin e lirë në komunat kosovare veriore – saktësisht hapjen e Urës së Ibrit, pengon tregtinë e lirë përmes barrierave jo-tarifore, dhe lëvizjen e lirë përmes flet-arresteve të rrejshme e arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës, duke keqpërdorur kështu edhe Interpolin.
Këto veprime të pandërprera bien në kundërshtim edhe me frymën e marrëveshjes së Washingtonit, për të cilën u angazhua lidershipi më i lartë amerikan.
E kur flasim për përkujdesje të minoriteteve,
duhet të bëhet e qartë se Serbia NUK ka as kujdesin minimal human e shtetëror ndaj shqiptarëve në Serbi, duke i diskriminuar sistematikisht dhe në mënyrën më barbare të mundshme, e po ashtu duke penguar Kosovën që të kujdeset për Luginën e Preshevës.
Përderisa Kosova garanton me Kushtetutë të drejtat më afirmative për pakicat në të gjitha shtetet e rajonit, Serbia implementon vendimin famëkeq të pasivizimit të adresave, e për rrjedhojë e pamundësojnë kujdesin shëndetësor, punësimin, zhvillimin ekonomik, dhe jetën për familjet dhe rininë shqiptare atje.
Nëse Vuçiq ka vendosur ta luaj rolin e konstruktivit dhe dëshiron me të vërtetë të kontribuojë për paqe dhe fqinjësi të mirë, e ftoj të fillojë me kërkimfalje për gjenocidin që Serbia ka bërë në Kosovë dhe të japë përgjegjësi shtetërore përpara drejtësisë ndërkombëtare.
Para se të vendosë të kontrabandojë të ashtuquajtura ‘vaksina’, duhet të vendosë të na i kthej trupat e mbi 1,600 të zhdukurve që i mbanë fshehtë në varreza masive në shtetin e tij. Duhet t’i kthejë pensionet e grabitura të qytetarëve të Kosovës, kursimet bankare, artefaktet, dhe të paguaj dëmet e luftës. Nuk është asnjëherë e tepërt, e as e mjaftueshme që t’ia përkujtojmë këto vazhdimisht Serbisë.
Prandaj, e ftoj Vuçiqin që së pari të jap përgjegjësi për të kaluarën kriminale të Serbisë, e më pastaj t’a luaj “humanistin””./InLajmi/