Prodhuesi gjerman i automjeteve, Volkswagen, është detyruar që të tërheqë nga tregu mijëra vetura për shkak të problemeve me pedalet e frenave, ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj kompanie.
Volkswageni do të tërheqë nga tregu rreth 38.000 vetura, duke përfshirë modelet Golf, Tiguan, Touran dhe T-Roc që janë të prodhuar më 2020. Nga këto vetura, më pak se 17.600 prej tyre gjenden në tregun gjerman.
Zëdhënësi i Volkswagenit ka thënë për mediat se nga problemi me pedalet e frenave deri më tani nuk është regjistruar asnjë dëmtim apo aksident.
Gjatë kontrollimit të brendshëm të veturave, inxhinierët zbuluan se pllaka e pedales së frenave, të cilën shoferi e shtyp gjatë frenimit, mund të shtrembërohet ose edhe të shkëputet. Ky problem është vërejtur te veturat automatike dhe ato që kanë timonin në anën e majtë.
Në Evropë, veturat me timon në anën e majtë më së shumti përdoren në Britani të Madhe, Irlandë, si dhe në Qipro e Maltë. Po ashtu, këto lloj vetura përdoren edhe në Japoni.
Veturat e tërhequra nga tregu duhet të kontrollohen dhe të rregullohen nëse është e nevojshme, ka thënë një burim nga selia e Volkswagenit në Wolfsburg, transmeton Indeks Online.
Administrata Federale Gjermane e Automobilave është duke e monitoruar procedurën e tërheqjes nga tregu të këtyre veturave me probleme me pedalet e frenave.