Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) në kuadër të takimeve të vazhdueshme që ka me institucionet relevante ka përgatitur dhe është duke përcjellur në vazhdimësi rekomandimet e saj në mënyrë që të përkrahet sektori privat, në tejkalimin e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia globale Covid 19, përcjell InLajmi
Situata e shkaktuar në vend si pasojë e pandemisë ka bërë që sektori privat të mbetet më i godituri e ndër të cilët janë edhe prodhuesit vendor. Në këtë takim fokusi ynë është tek prodhuesit vendor, të cilët konsiderojmë që duhet të përkrahen dhe stimulohen në mënyrë që të përballojnë efektet e pandemisë.
Duke e marrë parasysh gjendjen e rëndë në të cilën jemi, OAK ripërsërit kërkesën që të largohet ora policore dhe kufizimet në orar dhe të shtohen masat gjatë 24 orëve.
Arsyeja qëndron se gjatë gjithë ditës jemi duke parë qarkullim masiv të qytetarëve në shitore, rrugë dhe kafene ku nuk është duke u respektuar pothuajse asnjë rregull si numri i kufizuar në bazë të metrave katrore në një shitore apo market, numri i kufizuar në lokale dhe largësia 2 metra nga tavolina apo numri maksimal prej 5 personave që lejohen të jenë në një tavolinë.
Rekomandim i OAK-së është që të rriten masat, të zbatohen rregullat 24 orë, të hiqen kufizimet e qarkullimit.
OAK në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike ka kërkuar dhe po kërkon që të përfshihen edhe këto kërkesa:
- Lënda e parë të trajtohet njësoj sikurse që lirohet kur blihet jashtë vendit, të veprohet njejtë edhe në rastet e blerjes brenda vendit (Lirimi nga tvsh);
- Të rritet fondi për garanci kreditore në 300 milionë euro;
- Të ulet norma e interesit nga BQK në 1.7 %; në mënyrë që të ulen normat e interesit nga bankat komerciale.
- Të ulet Tvsh në ushqim, turizëm dhe hotelieri në 5%;
Përkrahja për prodhuesit përfshinë:
Krijimi i arkës “PATRIOT”, ku çdo produkt vendor të subvencionohet në dalje (në market) me 10 % ulje dhe te subvencionohet eksporti i prodhimeve me 10%.
Me këtë dhe gjatë kësaj kohe dhe si masë e përkohshme do të ndihmohen prodhuesit vendorë dhe nxiten investimet në rritje të eksportit.
Për njohuri të juaja Kosova nga viti 2015 deri në 2019, për 5 vite edhe pas hyrjes në MSA e ka rritur exportin për vetëm 58 milion € në vit ndërsa importi ka vazhduar në rritje enorme për mbi 1 miliard EURO në vit. Është llogarit që do të ketë efekt pozitiv si CEFTA ashtu edhe MSA por realiteti është i kundërt.
Për njoftim:
Shqipëria gjatë këtyre viteve ka rritur exportin për 500 milion € në vit ndërsa importin për 1 miliard € në vit, ndërsa Maqedonia gjatë këtyre 5 viteve ka rritur exportin për 2.6 miliard € në vit ndërsa importin për 2.3 miliard € në vit, pra ka arritur që të ketë export më të lartë se importi.
Kërkesa të tjera:
- Ligji për investime strategjike të trajtohet me prioritet. Sipas informacioneve nga MTI aktualisht janë në pritje mbi 1 miliardë euro investime për të kaluar dhe përfituar statusin e investitorit strategjik. I kemi edhe 2 investitorë të cilët tashmë i kanë kaluar të gjitha fazat dhe presin të futen në rendin e ditës në Qeveri për votim dhe fillim të investimit të kapitalit të tyre.
- Të zgjidhen problemet që bizneset po kanë gjatë tranzitit me Serbinë ku biznesi po detyrohet që në vendin e importit të mallit psh në Gjermani të pajisen me dy certifikata fitosanitare, një me Republika e Kosovës për hyrje në Kosovë dhe një me Kosovo i Metohija për të qarkulluar transit nëpër Serbi.
Kërkesat për BQK-në
- Të rikthehet në gjendjen e mëparshme Udhëzimi mbi Implementimin e Sistemit Bonus – Malus për Persona Juridik, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Byrosë Kosovare të Sigurimeve lidhur me regjistrimin e veturave i cili ka hyrë në fuqi me 1 nëntor.
- Të largohet kamata prej 5-8 % për kthimin e parave metalike në kartmonedha, detyrim i vendosur nga BQK;
- Të ulen tarifat e shfrytëzimit të posave nga ana e bizneseve nga 1-3% sa është aktualisht në së paku 0.25%.
Si përfundim kërkojmë edhe njëherë nga z. Kryeministër Hoti që në këtë kohë të rëndë t’i shtyni këto kërkesa të bizneseve përpara në mënyrë që të kemi rënie më të vogël dhe të mund të rimëkëmbemi pas kalimit të pandemisë e cila do të jetë prezente së paku edhe 6 muaj. Si segment pozitiv gjatë kësaj kohe pandemie mund të marrim rritjen e shfrytëzimit dhe shërbimit të teknologjisë informative e cila është duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe te fëmijet tonë duke u mësuar që të shfrytëzojnë Teknologjinë. Si rast konkret është e-mësimi. Pra, është e mundur që edhe kur jemi të vendosur në pozita të vështira të paktën të mundohemi t’i shfrytëzojmë për të mirë ato mundësi që na jipen./InLajmi/