Deputeti i Vetëvendosjes Hekuran Murati ka folur lidhur me skandalin e vjedhjes së më shumë se 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit, nga Ministria e Financave dhe Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit, përcjell InLajmi.
VV-ja vlerëson se “vjedhja e 2 milionëve në Thesar ishte rezultat i politikës kriminale të kastës së vjetër politike”.
“Ky normalitet nënkupton vjedhje, hajni, korrupsion. Sot kishim edhe një vjedhje tjetër, sot kishim vjedhje fizike në AUV. Pra nuk kemi të bëjmë me vjedhje kibernetike e transaksione elektronike, por edhe fizike, në një ndërtesë që ruhet nga Policia e Kosovës”, tha Murati.
“Kjo trimëri është shkaktuar nga veprimet që kthejnë gjendjen kaotike në vend, duke filluar nga Vettingu, zhbërja e task-forcës e ndërhyrjen politike në drejtësi. Çdo ditë që humb Kosova me këtë qeverisje ilegale, është ditë e humbur dhe ka kosto të madhe”, tha ai.
Tutje, Murati bëri thirrje të rrëzohet Qeveria Hoti.
“Presim që të rrëzohet kjo qeveri. Të hidhet në votim mocioni i mosbesimit që të hapet rruga për zgjedhje. Kërkojmë që krejt qeveria të shkojë në shtëpi”, tha Murati./InLajmi/