Kryeministri Avdullah Hoti ka ngushëlluar familjen e aktorit, Adem Mikullovci, duke thënë se veprat e tij nuk do na lënë asnjëherë edhe pse ai iku nga kjo botë, përcjell InLajmi.
Hoti përmes një postimi më Facebook, tha se Mikullovci do vazhdoj të mbetet frymëzim për brezat e rinj, artin dhe atdhedashurinë.
Ai tha se Mikullovci ishte një atdhetar i pashoq, duke e kujtuar si njërin nga delegatët e Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990-1992, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Aktori i madh shqiptar, Adem Mikullovci, na paska lanë e paska ikë nga kjo botë, por vepra e tij asnjëherë nuk do të na lërë.
Ai ishte përherë pjesë e gëzimeve dhe festave në familjet tona. Me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ai ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë.
Ai do të mbetet përherë frymëzim edhe për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri. Përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe një atdhetarë i pashoq. Bacën Adem përherë do ta kujtojmë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.
Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit të artistëve.
Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Adem! /InLajmi/