Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka thënë se udhëheqjen e takimit në Wuashington e vendos vet nikoqir, teksa ka përmendur me emër emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, raporton InLajmi.
Hoti tha se shtyrja e këtij takimi erdhi si pasojë e ftesave nga Gjykata Speciale për presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
“Kush merr pjesë i takon nikoqirit të takimit. Ka qenë e kuptueshme të kërkojmë të shtyhet takimi për një datë tjetër, për shkak të situatës së re të krijuar. Ne mbesim të përkushtuar për dialogun. Besojmë thellë që dialogu nuk ka alternativë. Këtë qëndrim e kam prezantuar edhe në BE. Është me interes për Kosovën që ky proces të mbyllet sa më shpejtë, duke qenë se ka interesim të madh nga BE dhe SHBA. Për shkak të zhvillimeve të ditëve të fundit, ne kemi shtyrë vizitën në Washington”, ka thënë Hoti në një konferencë për media.
Ai gjithashtu ka treguar se ka qenë në komunikim intensiv me ambasadorin Grenell, për anulimin e takimit të 27 qershorit, derisa ka shtuar se shumë shpejtë do të caktohet data e re e takimit në Washington.
Teksa foli për liberalizimin e vizave, shefi qeverisë, tha se asnjëherë nuk do të jap datë për liberalizimin e vizave.
“Ka një mirëkuptim që i kemi plotësu kushtet dhe unë as njëherë nuk do të jap datë për liberalizim të vizave”.
Më tutje Hoti u shpreh se ka koordinim të plotë ndërmjet SHBA-së dhe BE-së sa i përket dialogut./InLajmi/