Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur rezultatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare serbe, përcjell InLajmi.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, tashmë do të kenë katër përfaqësues në Parlamentin e Serbisë.
Pas këtij lajmi ka reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se bashkimi i shqiptarëve në Luginë të Preshevës e ka dhënë rezultatin e tij.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë.
Postimi i plotë i tij:
Bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij. Ata tashmë do të kenë më shumë deputetë që do ta ngrehin zërin për të drejtat e shqiptarëve atje.
Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë./InLajmi/