Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, në takimin e sotëm ka diskutuar për masat dhe veprimet që duhet të ndërmerren pas raportimit të katër rasteve të reja me të infektuar me koronavirus, përcjell InLajmi.
Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, të cilin e udhëhoqi nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, u tha se pas testimeve të kryera në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK të martën kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 katër persona nga tri fshatra të komunës së Podujevës.
Dy persona, që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus janë nga fshati Konushec dhe nga një në fshatrat Dumnicë e Poshtme dhe Gërdoc.
Në takim u tha se menjëherë pas konfirmimit të rasteve janë vizituar nga ekipi mjekësor i triazhimit familjet e të infektuarve dhe është bërë dezinfektimi i shtëpive ku banojnë ata.
Nënkryetari Rudari tha se pas rasteve të fundit të infektuarve me COVID19, jo vetëm në komunën tonë, vijnë si pasojë e mos respektimit të rekomandimeve të IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për zbatimin e masave mbrojtëse.
Gjatë takimit u tha se policia dhe inspektorët komunalë të koordinojnë aktivitetet në teren dhe të kryejnë inspektime të vazhdueshme në lokalet dhe objektet hoteliere dyqane e biznese të ndryshme, në mënyrë që të përcjellin respektimin e masave mbrojtëse, distancën sociale dhe bartjen e maskave./InLajmi/