Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë ku po diskutohet për qeverisjen 100 ditor të tij, u shpreh se Qeveria e përfaqëson popullin në tërësinë e tij. Kurti është shprehur se në 100 ditët e qeverisjes së tij janë ndalur keqpërdorimet, raporton InLajmi.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka krahasuar presidentin Hashim Thaçi me pandeminë e koronavirusit. Ai ka thënë se në 100 ditët e qeverisjes së tij është përballur me pandeminë dhe një president të frustruar që e ka penguar çdo ditë punën e tij.
“Në këto 100 ditë kemi marrë vendime për kursimin e parasë publike dhe ndaljen me keqpërdorimit të pozitave publike, ku pasurohej një elitë e ngushtë politike që e kontrollonte gjithë shtetin. Nuk mund të luftohen këto për 100 ditë por, kemi bërë hapat e duhur në vendimet e duhura. Por në këto 100 ditë kishim edhe pengesa: një pandemi globale e një president të frustruar që pengon çdo ditë punën e qeverisë dhe një opozitë që u fokusua në rrëzimin e qeverisë”, tha ai.
“Secili prej ministrave është dëshmi e gjallë për këtë, duhet të dërgojmë mesazhin që qeveruia përfaqëson popullin në tërësinë e tij. Kabinet të vogël sepse jemi vend i vogël dhe paga më të vogla sepse jemi vend i varfër, edhe ndërrimi i qeverisë edhe i agjencive që menaxhojnë me paranë publike, shkarkimet në borde nuk janë hakmarrje ndaj dikujt por veprim për të instaluar llogaridhënien dhe ndaljen me abuzimin me paranë publike”, tha Kurti./InLajmi/