Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës pas kërkesës që të mbajnë distancë gjatë punës në terren, kërkojnë që t’u krijohen kushte të nevojshme sepse puna e tyre është e rëndësishme dhe duhet patjetër të jenë aktivë në këtë situate, shkruan InLajmi.
Raportimi për të rejat në vend është shumë delikat sidomos tash kur vendi po përballet me përhapjen e koronavirusit, por edhe puna në këto kushte s’është aspak e lehtë dhe gazetarët vazhdimisht janë të ekspozuar ndaj rrezikut potencial për infektim.
Sipas AGK-së mungojnë mjetet e nevojshme si dorezat, dezinfektues e maska dhe shumë gazetarë kryejnë punën pa këto mjete mbrojtëse.
Ndër të tjera kërkohet që edhe adresimet të bëhen në ambiente të përshtatshme ku sigurohen foltoret dhe distanca e nevojshme ndërmjet gazetarëve e zyrtarëve, e rekomanduar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
AGK përgezon punën dhe raportimet e deritanishme nga gazetarët.
Postim i plotë:
AGK: Gazetarëve t’u krijohen kushtet e nevojshme për raportimet nga terreni
PRISHTINË, 20.03.2020 – Raportimi për virusin Corona në këtë situatë të jashtëzakonshme është shumë delikat dhe jo i lehtë veçmas për kolegët tanë gazetarë, të cilët çdo minutë janë të ekspozuar ndaj rrezikut potencial të infektimit.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bënë thirrje pronarëve të medieve, të cilët deri më tani nuk e kanë bërë, që urgjentisht t’u krijohen kushtet e nevojshme kolegëve tanë, veçmas atyre që raportojnë nga terreni dhe janë në rrezik potencial për t’u infektuar.
Aktualisht, ka shumë kolegë të cilët po e vazhdojnë punën pa mjetet elementare që mbrojnë shëndetin e tyre në këtë situatë të jashtëzakonshme siç janë: dorëzat, maskat dhe dezinfektuesit.
Po ashtu, AGK kërkon nga përfaqësuesit institucionalë që adresimet e tyre t’i bëjnë në ambiente të përshtatshme ku sigurohen foltoret dhe distanca e nevojshme ndërmjet gazetarëve e zyrtarëve, e rekomanduar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
AGK përgëzon të gjithë kolegët gazetarë për raportimin e deritashëm rreth Pandemisë dhe inkurajon ata që të vazhdojnë raportimin profesional, por edhe të kujdesen në të njëjtën kohë për shëndetin e tyre.
Është mision i vështirë, vetëm së bashku mund t’ia dalim! /InLajmi/