CIA ka deklasifikuar detaje të misioneve të saj sekrete të pëllumbave-spiunë gjatë Luftës së Ftohtë. Dhe siç shkruan BBC, dosjet zbulojnë se si pëllumbat u trajnuan për misione klandestine që fotografonin vende të ndjeshme brenda Bashkimit Sovjetik. Aty gjithashtu zbulohet se si korbat u përdorën për të hedhur pajisje përgjimi në pragjet e dritareve dhe delfinët ishin trajnuar për misione nënujore.
Në këtë drejtim BBC shkruan se CIA besonte se kafshët mund të përmbushnin detyra “unike” për operacionet klandestine të agjencisë. Kështu, siç thuhet tutje, brenda selisë së CIA-s në Langley, Virginia, është një muze, për fat të keq i mbyllur për publikun e gjerë, shkruan InLajmi.
Gjatë një vizite për të intervistuar drejtorin e atëhershëm, shkruan Gordon Corera, korrespodent i Sigurisë i BBC, “më ra në sy diçka e pazakontë në mes të të gjitha pajisjeve përgjuese dhe mjeteve të spiunazhit”, duke treguar se bëhej fjalë për një pëllumb dhe një aparat fotografik të lidhur me të.
“Interesimi im u rrit nga fakti që unë po shkruaja një libër për pëllumbat-spiunë britanikë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por më thanë – në mënyrë të përsëritur – që detajet e misioneve spiunë të CIA-s ishin ende të klasifikuara. Kjo ishte deri tani”, shkruan Corera. Sipas BBC, operacioni i viteve 1970 u kodua me emrin Tacana dhe eksploroi përdorimin e pëllumbave me kamera të vockla për të bërë automatikisht foto, tregojnë skedarët e publikuar rishtazi.
Kjo po bëhej për të përfituar nga fakti që pëllumbi zotëron një aftësi të mahnitshme. Ata mund të hidhen diku ku nuk kanë qenë kurrë më parë dhe janë në gjendje të gjejnë rrugën e tyre qindra kilometra për në shtëpi.
Përdorimi i pëllumbave për komunikime daton mijëra vjet, por ishte në Luftën e Parë Botërore kur ata filluan të përdoren për mbledhjen e informatave sekrete. Në Luftën e Dytë Botërore, një degë pak e njohur e inteligjencës britanike – MI14 – drejtoi një Shërbim Sekret Pëllumbash i cili lëshoi zogj me një parashutë mbi Evropën e okupuar.
CIA zhvilloi një aparat fotografik të vogël dhe të lehtë sa të mbante një pëllumb. Gjithashtu, pas luftës, një “Nën-Komitet i Pëllumbave” të Komitetit të Inteligjencës së Përbashkët të Britanisë shikoi opsionet për Luftën e Ftohtë. Por ndërsa operacionet britanike ishin mbyllur kryesisht, CIA mori përsipër të shfrytëzonte fuqinë e pëllumbave. Operacioni Tacana do të rritej nga puna e bërë në vitet 1960 që shikonte përdorimet e kafshëve të ndryshme. Dosjet zbulojnë se CIA trajnoi një korb për të shpërndarë dhe marrë mjete të vogla deri në 40g nga pragu i dritares së ndërtesave të paarritshme.
Një rreze laser e kuqe ndezëse u përdor për të shënuar objektivin dhe një llambë speciale do të tërhiqte shpendin. Në një rast në Evropë, CIA dërgoi fshehurazi një pajisje përgjimi me zog në një dritare (megjithëse asnjë audio nuk u mor nga caku i synuar)./InLajmi/