Kryetari i Partia Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli përmes një statusi në Facebook tha se seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga kryeparlamentarja, Vjosa Osmani ishte jo e drejtë në raport me ligjin. Po ashtu sipas tij kjo seancë ka qenë shumë abuzuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Seanca e jashtëzakonshme për buxhetin, e ftuar nga Kryeministri, doli se nuk paska pasur për qëllim miratimin e buxhetit për kërkesat e qytetarëve, por uljen e Albin Kurtit në tryezën e Dialogut me Serbinë”, tha Veseli.
Veseli deklaron se seanca e jashtëzakonshme ishte abuzim për qytetarët, kjo ka qenë shumë rrezik për vendin.
“Jo negociata?!
Thirrën seancë të jashtëzakonshme për buxhet, duke abuzuar me shqetësimin e emergjencës qytetare për pandeminë e coronavirusit – tashmë të shpërndarë në disa cepa të vendit tonë, edhe për shkak të papërgjegjësisë së kësaj Qeverie në parandalimin e përhapjes së tij.
Përjashtuan me dredhi opozitën nga vendimmarrja e një ligji kaq me rëndësi për qytetarët, si ky për buxhetin.
Tradhtuan qytetarët me premtime, duke mos e përfshirë në buxhet, siç ishte paraparë, rritjen e pagave të sektorit shëndetësor dhe tërë sektorit publik.
Dhe, pikërisht në kohën e izolimit e sanksioneve të SHBA-së mbi Shtetin e Kosovës, nuk u morën me problemin fundamental para vetes si sfidë – taksën, por menduan vetëm për vetveten, se si të takohen me përfaqësuesit serbë në Dialog, dhe për këtë nxorën Rezolutë pas mesnatës.
Kjo flet shumë për rrezikun që i sjell vendit papërgjegjësia dhe arroganca e kësaj Qeverie dhe e këtij Kryeministri, që për asgjë nuk kanë emocion, që askënd nuk e respektojnë dhe asnjë premtim e parim nuk e mbajnë”, theksoi ndër të tjerash Veseli.
Kadri Veseli thotë se Qeveria bashkë me kryeministrin janë në rrezik nacional.
“Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër janë rrezik nacional.
Por, qytetarët gjithsesi do t’u kundërvihen mashtrimeve të tyre.
Kosova, mbi të gjitha, u takon njerëzve të saj që e duan, punojnë për të dhe nuk lejojnë të dëmtohet.
PDK do të jetë aty ku është interesi dhe nevoja e kombit”, përfundon ai. /InLajmi/