Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta votojnë buxhetin për vitin 2020 vetëm nëse qeveria sjellin një fond të veçantë rreth trajtimit të krizës së krijuar nga koronavirusi.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj gjatë seancës tha se është keqpërdorur gjendja emergjente e cila është në Kosovë , shkruan InLajmi.
Ai tha se nëse tentohet me mocion procedural me iu shmangë rendit të ditës nuk do t’i kenë votat e 2/3.
“Është keqpërdorur gjendja emergjente e cila është në Kosovë dhe si Aleancë jemi dakord nëse do të ketë një propozim për një fond të veçantë rreth trajtimit të kësaj teme, ne do të marrim pjesë në votim. Pra, nëse është e ndarë nga projektbuxheti. Ndërsa, sa i përket projektbuxhetit është absolutisht një masakër që ka ndodhur sidomos në infrastrukturë, ku nuk është mbetur projekt pa u goditur. Nuk e di qysh e kanë menduar, e kam marrë një tabelë prej shumicës së komunave nëse hapet debati një për një kemi me i lexua, qysh kanë qenë, qysh janë. Pse? Shumica prej tyre janë të qeverisë Mustafa të nisura, të vazhduara dhe janë në përfundim e sipër. Tjetra është, në rast se brenda këtij fondi qitet për me i mbështet financiarisht kategoritë e caktuara, të cilat janë duke e trajtuar këtë temë, si Policinë, shëndetësinë, emergjencat, ne jemi shumë të gatshëm për me i dhënë mbështetje edhe me votë edhe në çdo formë”, tha ai.
“Shumica e kolegëve të mi që janë edhe mjekë, kanë marrë telefonata pothuajse nga të gjitha qendrat, qoftë spitalet regjionale, qoftë QKMF-të e komunave, ku akoma nuk është parë dora e shteti. Pra, nëse dikush mendon që koronavirusi ruhet me Polici dhe me kallashnikov në kryq të Klinës, është gabim. Në rast se ju shkoni i shihni në çfarë gjendje funksionojnë stafi shëndetësor në atë komunë, apo në Viti, as gjërat elementare nuk i kanë. Pra, duhet me i marrë masat urgjent”, shton Haradinaj ndër të tjera.
Ai ka kritikuar qeverinë se në shumë projekte infrastrukturore u janë zvogëluar fondet./InLajmi/