Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur në seancën e jashtëzakonshme për marrëdhëniet Kosovë – SHBA.
Deputeti Krasniqi fillimisht i ka reaguar deputetit të Vetëvendosjes, Hekuran Murati i cili foli për shpenzimet e qeverisë së kaluar dhe gjithashtu kërkoi nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani të deklarohet për marrëdhëniet Kosovë – SHBA.
“Fillimisht po e them një çështje se një nga deputetët mashtroi dhe shpifi, por tani duke u dëshmu si militant i ri i Vetëvendosjes tentoi të mashtroj për disa shpenzime, dhe mund t’ia dorëzoj tani shpenzimet, po flasim për 26 mijë euro për gjithë kabintetin. E vërtetë është që ka imunitet nga kjo foltore por nuk bën të keqpërdorë e të mashtrojë. Po iu drejtohem juve kryetare personalisht sepse është me rëndësi që ju të flisni për këtë temë, dhe është mirë të dinë qytetarët a është qëndrimi juaj i njëjtë me Grupin Parlamentar apo tjetër, është mirë të dëgjoheni edhe ju për raportet Kosovë – Amerikë e kanë të drejtë njerëzit që iu kanë votuar, nuk po e them me cinizëm.”, tha Krasniqi.
Krasniqi gjithashtu ka folur edhe për fjalimet e disa deputetëve të VV-së e LDK-së rreth kësaj çështje duke thënë të mos marrin guximin t’i analizojnë marrëdhëniet midis Kosovës dhe SHBA-ve, dhe t’i marrin seriozisht reagimet e senatorëve amerikanë.
“Është e vërtetë që s’i kemi qëndrimet e njëjta, s’i kemi pasur as në qeveri, por atëherë s’kemi marrë vendime me qëndrime të ndryshme. Ju keni përgjegjësi të merrni vendime si qeveri, problemi është se ju nuk keni qëndrime të njëjta si qeveri, ne nuk kemi përgjegjësi si opozitë. Ju nuk po keni guxim të merrni vendime. Dëgjuam nga deputetë të VV-së se si do të veprojnë SHBA-të. Ku e morrën guximin të tregojnë se si veprojnë SHBA-të. Njëri këtu që nuk ka nejtë as dy ditë në odë ia nisi me tregu mesele e me ua bo biografinë senatorëve cili është burrë i mirë e jo. Po tentojnë ta relativizojnë rolin e tyre. A është i rëndësishëm shefi i inteligjencës së SHBA-ve?”, tha Krasniqi.
Më tutje ai ka thënë se Draft-Rezoluta është qesharake dhe se nuk guxohet të prishen marrëdhëniet me SHBA-të, shkruan lajmi.net.
“Mimoza po ashtu tregoi mesele, po kjo e ka problemin që nuk e ka ftuar Presidenti në takim. SHBA-të po flasin zyrtarisht, po flet shefi i inteligjencës kombëtare, a duhet ta merrni seriozisht? Po lypni me reagu presidenti, ata që po reagojnë janë zyrtarë. Keni bë hajgare me qëndrimet e zyrtarëve të SHBA-ve. Po e përmendi një iniciativë për ndryshimin e ligjit për gjykatën speciale, ka pasur iniciativë. Pse nuk ka vazhduar? Pikërisht sepse e kemi marrë sygjerimin e SHBA-ve dhe shteteve të QUINT-it, po merrni edhe ju parasysh rekomandimet e tyre. Arsyeja pse është ndalur është kjo që po ua them. Për Draft-Rezolutën, mani, mani se është modeste ajo rezolutë. Përveç asaj, nuk kemi nevojë për draft-rezoluta që i përsëritin nenet e Kushtetutës. Tema e sotme nuk ka të bëjë me dialogun. Nëse doni seancë për dialogun thirrni sonte, por nëse ka naj rezolutë me i rujtë marrëdhëniet me amerikanët, e diskutojmë. Pse jemi këtu sot është tendenca e kryeministrit me i shkatërru marrëdhëniet me SHBA-të. Asnjë temë s’është më e rëndësishme se prishja e marrëdhënieve me SHBA-të. Ju kryeministër jeni i rrethuar me njerëz që e urrejnë Amerikën. Rreziku këtu është që ju keni ideologji anti-perëndimore sepse vite me radhë e keni quajtë Amerikën imperialista e kolonizues.”, tha Krasniqi.