Nga Shpresë MULLIQI
Moto: Ishte fundjanari i vitit 1998. Këtu e njëzet e dy vjet më parë. Pak ditë, fare pak pasi që kishte ndodhur sulmi mbi Jasharajt Legjendar në Prekaz. Në lagjen, burrat e së cilës do ta ndryshojnë historinë e kombit tonë, por edhe shumëçka nga rendi i ri botëror. Kishim mbërritur bukur herët. Para deriçkës e cila shpinte tutje në kullën e xha Shabanit takohemi me dy çuna. Ishin të rijnë. Ajo që na ra në sy së pari ishte jeleku me ngjyra ushtarake si dhe një emblemë me shkabë, në gjysmëharkun e fund të së cilës shkruante: Ushtria Çlirimtare e Kosovës. O Zot!, sa nuk klithëm që të gjithë. Megjithatë ishte realitet e tëra. Zemra më brofi dhe buza mu dridh nga vaji. Ndjenjë më të çuditshme, më të përziera dhe më të afshëta nuk kisha përjetuar në jetë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo ishte e vërtetë! Po bëhet Kosova, thash në vete. Dhe, përnjëherë më është dukur se po zhbëheshin nga koha në të cilën po jetonim dhe se po ktheheshim furishëm në histori. E tëra ndodhte shpejtë. Papërshkrueshëm. Si në kaleidoskop filmik më erdhën para të gjitha ato figura historike dhe mitike në rrugëtimin e gjatë të popullit tonë për Liri. Ndërsa tashti Liria ishte aty, para nesh… Por, cili do të jetë çmimi i saj dhe cili do të jetë roli i Jasharajve, familjes më historike në historinë e kombit shqiptar, këtë, atë ditë, as që po e pandehja sot, përcjell InLajmi.
Mt: Takimi i parë me Hamzën dhe Ademin
Pasi që u mirëpritëm nga dy çunat e rinj, për të cilët tek më pas, gjatë zhvillimeve të tjera të luftës do të marrim vesh se ishte fjala për Bashkim Jasharin, zëvendësin e ardhshëm të komandantit të Zonës Operative të Drenicës dhe Rrahman Ramën, komandantin e ardhshëm të Zonës Operative të Shalës, diku nga lartë, nga një dritare e kullës u dëgjua një zë burri.
Ngremë kokën. Para syve na brofi me pamjen markante. Jo dosido burrë. Zëri dhe pamja e tij sikur na ftonte që të futemi në legjendë. Ishte vetë ai, legjendari: Ademi i Shaban Muratit. Adem Jashari.
“Urdhëroni lartë”, kumboi ai zë. “Për ju gjithmonë ka vend në odën tonë”.
Bashkimi dhe Rrahmani na buzëqeshën miqësisht dhe na treguan se nga duheshim futur brenda që të arrinim lartë në kullë. U futëm.
Në krye të shkallëve na pritën Ademi dhe Hamëza.
Pasi na përshëndetën na ftuan që të futeshim në odën e madhe dhe tradicionale. Në krye të saj, pranë oxhakut qëndronte ulur Xha Shabani.
Oda ishte plotë e përplot burra. Kishin ardhur miq e dashamirës nga të gjitha anët e Kosovës. Për një çast e kemi ndjerë veten fare minorë. Por, dora e zgjatur dhe fytyra buzagaz e Xha Shabanit që më ftoi të ulem pranë tij, në ballë të vatrës, sikur ma riktheu besimin edhe tek vetja.
“U bëmë pjesë e historisë”, mendova.
Pastaj bisedat u zhvilluan në drejtim të sqarimit të ndodhive të cilat e kishin arsyetuar vajtjen tonë asaj radhe në kullë e cila po i ngrite lavdin tërë shqiptarisë.
Por, asgjë nuk ndaloi vetëm aty ngase çdo gjë ishte e ndërlidhur në hallkë. Edhe ngjarja e 22 janarit 1998. Edhe ngjarja e 31 dhjetorit 1991. Edhe koha e Shaban Polluzhës. Edhe ajo e Azem Bejtës. Edhe, edhe, edhe…
“Mirë ka thënë Mehmet Gradica”, u ndërlidh kështu në një bisedë një burrë tjetër i cili po qëndronte në krah të djathtë të Xha Shabanit, “të vetmen gjuhë që e kupton gjarpri është t’ia shtypësh kokën”.
Shumë burra pohuan me tundje të lehtë koke, ndërsa Xha Shabani më pas na tha se plaku që po e kujtonte këtë sentencë nga luftëtari i madh i Drenicës dhe Kosovës, Mehmet Gradica, në fakt ishte, Mehmet Meha, xhaxhai i Tahir Mehes, atij i cili ia pat nxjerrë tymin tërë Jugosllavisë më 13 maj 1981.
Dhe, me një oratori të padëgjuar, do të thoshim, këta burra që dukeshin se kishin dalë nga një pikturë reale dhe po ballafaqoheshin me ne të cilët, gati sa e kishim jetuar atë jetë të mbrapshtë dhe ireale, duke zhvilluar filozofinë e të folurit nëpër kullat tona, gati pahetueshëm tërë bisedën e nxorën në rrafshin tjetër: roli i nënës dhe gruas shqiptare në luftën dhe rezistencën tonë kombëtare. E kjo ishte fantastike. Sentenca të tilla retorike nuk dëgjohen çdo ditë dhe çdokund.
Mbaj mend se kur u futem në odë, Hamëza u ul në mesin e burrave, ndërsa Ademi ngeli jashtë. Dhe, pasi që kishim zhvilluar një bisedë të paharrueshme, Hamëza, na ftoi që të kalonim edhe tek “shtëpia e zjarrit” që të takohesha edhe me pjesëtarët tjerë të familjes, me ata të cilët në mënyrë aq stoike dhe aq ireale i kishin bërë ballë sulmit të pardoditshëm të hordhive të egra serbe.
U ngritëm. Të gjithë burrat sa u gjetën në atë çast në odë u ngritën dhe u përshëndetën me ne. Deri në fund të shkallëve të cilat tutje shpinin në oborrin e shtëpisë na shoqëruan që të dy kryetrimat Hamëza dhe Ademi. Pastaj tutje vazhduam vetëm me Hamzën.
Mt: Edhe kryeprotagonistët e legjendave kanë zemër
U futëm në shtëpi. Brenda, përveç zonjës së shtëpisë dhe rejave me fëmijë ishin edhe shumë gra të tjera të cilat kishin ardhur të takohen lidhur me rastin dhe njëkohësisht ta fatonin Bajramin. (Ç‘koincidencë).
Mbi një krevat, gjysmë e shtrirë ishte Selvetja, gocë e Hamzës, ndërsa te koka e saj, pranë shtratit, ishte e ulur Iliriana, goca e madhe e Rifatit. Që të dyja këto ishin të plagosura natën e sulmit të 22 janarit 1998.
Mua më ofruan që të ulem në shtrat ku ishte shtrirë Selvetja. U ula pranë këmbëve të saja.
Pastaj biseda nisi të zhvillohej dal ngadalë. Hamëza plotë emocion po e përshkruante natën e sulmit mbi familjen dhe përmes një buzëqeshjeje, përmes së cilës orvatej ta mbulonte dhembjen për gocat e plagosura dhe brengën që kishte asaj nate gjatë sulmit tha:
“Ne i kemi edukuar të gjithë, të mëdhenjtë dhe fëmijët që, pavarësisht nga ajo që mund të ndodh askush mos të bëzante”.
Thjeshtë këtë e kishin konceptuar kështu që mos t’i japin shenjë armikut se dikush ishte lënduar dhe që të mos i dekurajonte pjesëtarët tjerë të familjes.
“Ishte hera e parë që u pendova për këtë gjë. Në çastet kur është ndërprerë sulmi këtu mbretëronte një heshtje e plotë. Unë nuk dija se çfarë kishte ngjarë dhe, nuk e di se çfarë do të jepja në ato çaste sikur të dëgjoja një zë të vetëm fëmije”.
Pastaj ai rrëfeu se si e kishte gishtin në siguresë të bombës dhe ishte fare afër që ta aktivizonte atë kur po i dëgjonte hapat tek po ngjitnin shkallëve. Por, fati e deshi se ky e kishte dëgjuar zërin e të kunatës e cila e kishte thirrur: “O Hamëz, a je gjallë he burrë!?”
“Unë jam mirë, po ju të tjerët a keni shpëtuar?”, kishte pyetur Hamëza.
“Po, po, mirë jemi përveç Ilires dhe Selvetes që janë plagosur pak”.
Atëherë Hamëza ishte ngritur. Kishte zbritur shkallëve deri në katin e dytë të shtëpisë, në dhomën e fjetjes së Ademit ku ishin të mbledhur të gjithë të vegjlit.
“Po ti, çfarë ke ndjerë në ato çaste kur të mori plumbi?”, e pyet Selveten e Hamzës.
“Asgjë. Asgjë për vete. As dhembje as asgjë… Vetëm mendoja se duhet t’i ndihmoja babushit…”, më tha vajza ndërsa lotët i rrodhën faqeve.
Kokën e ktheva nga Hamëza. Nuk e fshehu. Sytë e tij m’u dukën si dy liqe me lot.
Atëherë e kuptova se edhe kryeprotagonistë e legjendave kanë zemër dhe janë njerëz, por jo si ne të tjerët. Ama, ja që, edhe ata derdhin lot.
Mt: “Gjallë jemi…”
Pastaj Hamëza më ofroi një cigare duhan.
“Nuk e ndez”, i thash.
“Mos nuk guxon ta ndezësh cigaren nga yt shoq”, tha Hamëza duke e përmendur me emër. Të gjithë qeshëm. Edhe Iliriana. Edhe Selvetja.
Ishte mu ai çasti kur në atë odë u futë një grua tradicionale e cila u përshëndet me Hamzën.
“Gjallë jemi, Rrahime, si jeni ju!”, ia ktheu kryetrimi…
Biseda mori një kahe tjetër. Tashti që të gjithë u shtendosën pak.
Zonja e shtëpisë, nëna e kryetrimave mundohej të na servirte çdo gjë para. Ishte Ditë e Bajramit.
Im shoq më kishte folur për Hamzën të cilin e njihte edhe si aktor, edhe si këngëtar por edhe si luftëtar.
Bëmë llafe për Prishtinë. Për letargjinë e kryeqytetit. Për politikanët anemikë. Folëm edhe për Maqedoninë, edhe për Preshevën… Llafet nuk kishin të këputur…
Kështu koha kishte vajtur shumë. Pasi që i bëmë disa foto me Selveten dhe Iliren, u përshëndetëm me vajzat dhe gratë dhe dolëm në oborr.
Si në zgjojë bletësh, oborri vlonte nga fëmijët. Atëherë më është ofruar njëra prej vajzave. Më duket të ketë qenë Blerina, Blerina e Hamzës e cila pasi më pyeti sa fëmijë kisha, në përgjigjen time m’i ofroi dy çamçakëz për Getoarbën dhe Albburonin.
I miklova faqen si fëmijës tim. Ajo më pas iku…
Mt: “Unë quhem Marigonë”, më tha. “Jam e Ademit, Adem Jasharit!”
Dhe, më pas me insistimin e Hamzës u ngjitëm që të shihnim edhe vendet në të cilat kishte luftuar Hamëza dhe të shihnim se ku dhe nga kishte luftuar Xha Shabani me djemtë, kur u ngjitëm në dhomë sipër, më së larti, nga gëzhojat e shumta që ishin në të gjitha anët shihej se ishte bërë një rezistencë e jashtëzakonshme. Madje, duke pasur parasysh se në sa vende ishin ato gëzhoja kihej përshtypja se kishin luftuar shumë veta.
“E ndërroja pozitën, por edhe armën, kështu që shkiet kishin bindjen se nga kjo dhomë po u kundërviheshin më shumë luftëtarë”.
Ndërsa për mua ishte e habitshme se si kishte shpëtuar kryetrimi kur nga jashtë muret dhe dritaret e shtëpisë i kishin goditur aq plumba.
Prej dritares së asaj dhome i bëra një foto pirgut të Fabrikës së Municionit e cila tashmë ishte shndërruar në kazermë të çetnikëve dhe vrastarëve të tjerë serbë.
Kur u zhdorgjëm poshtë përsëri Hamëza u afrua dhe më tha: “Kështu si ne ka edhe shumë e shumë luftëtarë të tjerë… Ne kemi vendosur që të luftojmë ngase është e qartë se Liria nuk vjen vetë… Por, të lutem, mos e lë pa shkuar që t’i takosh shokët tanë edhe në rrethinën e Deçanit, edhe në atë të Malishevës…”.
Ndërsa unë i premtova se do ta bëj këtë gjë. “Patjetër!”
Dhe fare tek porta, kur po dilnim në rrugën e lagjes, na është qasur një çupëz e vockël. E pyeta për emër.
“Unë quhem Marigonë”, më tha. “Jam e Ademit, Adem Jasharit!”
“E di ti se kush është Marigona?!”, e pyeta.
“Është qëndistarja e Flamurit”, më tha çupëlina dhe, duke qeshur, me fëmijët tjerë të shtëpisë të cilët sikur nisën ta shpotisnin ngapak, iku duke na përshëndetur me dorën e sajë të vockël.
Pastaj në rrugë të lagjes na përshëndetën kryetrimat, Ademi dhe Hamëza. Poende ata dolën në rrugë edhe pse unë insistova që të mos dilnin ngase kisha frikë se mund të shtinin mbi ta shkiet nga pirgu i fabrikës. Por ata duke qeshur m’u gjegjën: “Po ata e dinë ku jemi, ndërsa ne ndërmend nuk e kemi të fshihemi më!”.
I mora ngryk dy trimat. Në fakt, dy kryetrimat. Në fakt, aty asaj dite u mora ngryk me vetë historinë.
Lavdi paçin për jetë të jetëve! /InLajmi/
(Autorja gjate luftës së Kosovës ishte botuese dhe redaktore tek revista “Kombi” që botohej në Prishtinë)