Pavarësisht se sëmundja vdekjeprurëse e koronavirusit, ka përfshirë tashmë pothuajse të gjitha kontinentet e botës, Kosova vazhdon të qëndrojë e paprekur nga ky virus.
Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga data 8 shkurt deri 1 mars, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 33 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 (coronavirus) dhe të gjitha kanë rezultuar negative.
Sipas IKSHPK, Nga data 1 shkurt deri me 1 mars nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1,223 udhëtarë. Nga Aeroporti “Adem Jashari” 322 udhëtarë, Vërmicë 367, Merdare 461, Hani i Elezit 22, Dheu i Bardhë 37, Kullë 7 dhe Qafë Morinë 7 udhëtarë.
“Sot, në ANP ‘Adem Jashari’ ekipet mjekësore të aeroportit bashkë me QKMF – Obiliq, Inspektoratin Sanitar të Agjensionit të Ushqimit dhe Veter inës të mbështetur nga ekipi i IKSHP-së kanë kontrolluar të gjithë udhëtarët e ardhur sonte nga Verona e Italisë, sipas protokolleve të OBSH-së dhe ECDC dhe tek asnjëri nuk janë gjetur shenja klinike të sëmundjes”, njofton IKSHPK.
Më tej në njoftim thuhet se, udhëtarët janë rekomanduar të qëndrojnë në shtëpitë e veta, të evitojnë kontaktet e afërta me persona, të evitojnë përshëndetjen me shtrëngimin e duarve, të mbajnë higjienën personale dhe larjen e duarve dhe në rast të shfaqjes së temperaturës, kollitjes apo vështirësive në frymëmarrje duhet të paraqiten te mjeku i familjes me historikun e udhëtimit./InLajmi/