Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përkujtuar viktimat e masakrës së Qirezit dhe Likoshanit të Drenicës, shkruan InLajmi.
Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Thaçi ka thënë se viktimat e pafajshme, përpos që u vranë, ata e dhe u masakruan.
Ky akt sipas presidentit Thaçi shënon fillimin e fushatës së akteve masive të vrasjeve, gjenocidit dhe djegies e spastrimit etnik.
Postimi i plotë i tij:
Më 28 shkurt 1998, në Likoshan dhe Qirez të Drenicës, policia serbe në mënyrën më barbare vrau gra, pleq, burra dhe të rinj të paarmatosur, në oborret dhe shtëpitë e tyre, në shenjë hakmarrjeje pas përleshjes me një njësit të UÇK-së te Lisi Gjashtënjak. Viktimat e pafajshme përpos që u vranë, ato edhe u masakruan. Me këtë akt policia dhe ushtria serbe filluan fushatën e akteve masive të vrasjeve, masakrave, gjenocidit, djegies dhe spastrimit etnik për dy vite me radhë (1998 – 1999).
Sot kujtojmë me respekt gjithë martirët dhe të rënët në Likoshan dhe Qirez./InLajmi/