Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bisedoi në telefon me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, “për të shprehur shqetësimin e tij për dhunën në Idlib të Sirisë”, tha sekretari për media i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere.
Sipas tij, Trump kërkoi që Rusia të ndalojë mbështetjen e saj për “mizoritë” e regjimit sirian dhe shprehu “dëshirën e SHBA-së për të parë fundin e mbështetjes ruse” për presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Trump po ashtu bëri thirrje për “zgjidhje politike të konfliktit në Siri”, i cili ka nisur qysh në vitin 2011.
E mbështetur nga sulmet ajrore të Rusisë, Qeveria e Sirisë ka bërë përparime të dukshme ditëve të fundit në Idlib, që është bastioni i fundit i rebelëve anti-qeveritarë.
Turqia, e cila i mbështet rebelët që duan rrëzimin e Assadit, i ka kërkuar Rusisë që të ndalojë sulmet në Idlib, duke paralajmëruar se do të përdorë fuqinë ushtarake kundër forcave siriane, nëse ato nuk tërhiqen deri në fund të muajit, përcjell REL.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se 800,000 njerëz janë zhvendosur nga zona, që nga intensifikimi i luftimeve në muajin dhjetor.