Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se populli është burimi i sovranitetit, ku me votën e tij vendos se kush duhet të flas në emër të tij.
Në fjalën e tij para ushtarëve të FSK-së, me rastin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ai është shprehur se mbrojtja dhe siguria janë të ndërlidhura shumë me mirëqenien e qytetarit, shkruan InLajm
”Pa ushtri e pa mbrojtje jemi të dobët e të pambrojtur. Prandaj ne mburremi me shërbimin tuaj. Sakrificat që ju bëni dhe kaloni janë të vështira. Por qëllimi që ju bëni është fisnik. Ne mund dhe të gjithë duhet të mësojmë nga disiplina e ushtarit”.
”Mbi ju bie detyra e rëndë dhe e shenjtë e mbrojtjes së vendit. Detyrë të cilën ju e bëni me përkushtim dhe dashuri”.
”Prandaj do ta bëjmë edhe shërbimin ushtarak të detyrueshëm sepse përvojat na duhet për tu përballur me betejat e paqes. Ne asnjëherë nuk kemi pushtuar apo okupuar tokat e huaja, por kemi mbrojtur dhe do të mbrojmë çdo herë vendin tonë. Vendet demokratike në gjithë botën duan paqe”.
Kurti ka thënë se investimet në Forcën e Sigurisë janë të domosdoshme për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit
”Investimet në ushtri dhe në mbrojtje nuk bëhen sepse duam luftë, porse nuk duam që lufta të vijë tek ne. Ne investojmë në mbrotje sepse e keqja ekziston në botë. Në një vend të varfër sikur Kosova, investimet në ushtri janë të kushtueshme. Por investimi në mbrojtje është realitet në të cilin rrethohemi. Është detyrë e jona ta zhvillojmë shtetin nga brenda e ta fuqizojmë atë nga jashtë”.
”Përgjigjia jonë duhet të jetë më shumë shtet e më pak pushtet. Si përfaqësues politikë duhet të kemi unitet në politikën e jashtme. Do të punojmë shumë dhe pa u ndalur që të forcojmë shtetin pa u ndalur brenda dhe jashtë. Ne e dobësojmë shtetin tonë sa herë që e vendosim vetën para interesave të shtetit. Ne duhet të jemi unik në politikën e jashtme. Do të punojmë që të avancojmë anëtarësimin në NATO dhe BE dhe këto janë prioritet. Integrimi në BE është rrugë e gjatë por janë nevoja qe na forcojnë”.
”Pavarësia dhe Liria që gëzojmë nuk duhet të punojë vetëm për disa por për të gjithë e sidomos për ata që kanë më së paku. Atdheu është i yni, vendi është i yni, ne jemi në rrugë të drejtë sepse jemi në tokën tonë. Pa UÇK-në çlirimi do të vonohej, e pa NATO-n do të vonohej liria” shkruan /InLajmi/