Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe talebanët kanë arritur një marrëveshje armëpushimi gjatë Samitit të Sigurisë në Mynih, e cila mund të çojë në tërheqjen përfundimtare të trupave amerikane nga Afganistani.
Zyrtarët u shprehën se fillimisht kemi një marrëveshje 7 ditore për reduktimin e dhunës, që do të ndiqet nga 10 ditë bisedime paqeje.
Marrëveshja erdhi pas takimit të Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Mark Esper me Presidentin afgan Ashraf Ghani.
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka shprehur hapur mbështetjen për marrëveshjen, e cila mund të çojë në tërheqjen e shpejtë të trupave amerikanë nga Afganistani, më parë ai e kishte shpallur si prioritet të administratës së tij, tërheqjen e 13 000 ushtarëve amerikanë, shkruan euronews.al.
Detajet përfundimtare të marrëveshjes u përcaktuan nga i dërguari special i SHBA për Afganistanin Zalmay Khalilzad dhe përfaqësuesit talebanë në Doha, Katar.