Zyrtari nga Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi ka thënë se Reciprociteti nuk ka të bëjë me ndikimin, fuqinë apo pasurinë e shteteve.
Përmes një postimi në profilin e tij Facebook Zaimi ka thënë se parimi i reciprocitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare është i barabartë me njohjen e sovranitetit.
Tutje ai tha se njëri prej koncepteve shpesh të përsëritura nga presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, D. Trump, është reciprociteti.
Postimi i plotë i tij:
Reciprociteti nuk ka të bëjë me ndikimin, fuqinë apo pasurinë e shteteve. Parimi i reciprocitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare është i barabartë me njohjen e sovranitetit. Pra dhe republika e vogël e San Marinos, edhe Shtetet e Bashkuara, kanë marrëdhënie të ndërsjellta reciproke. Të drejtat e shtrëngimet që njëra palë ua njeh qytetarëve të palës tjetër, edhe e dyta ua njeh qytetarëve të të parës. E para ligjit ndërkombëtar, janë palë të barabarta, pavarësisht dallimeve në përmasa e në mundësi për projektim të fuqisë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare parimi i reciprocitetit kërkohet të zbatohet edhe kur ka luftë mes palëve.
Madje njëri prej koncepteve shpesh të përsëritura nga presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, D. Trump, është reciprociteti. Po të ishte thjesht çështje fuqie, të gjithë e dimë se nuk do të lodhej me koncepte të tilla.
Ideja se të fortit i takon e drejta, është ide mesjetare. Ideja moderne, e lindur bashkë me demokracinë është se forca i takon së drejtës. Në të drejtën qytetare kjo ide moderne përkthehet si barazi përballë ligjit, pavarësisht se kush je, në të drejtën ndërkombëtare përkthehet si parim i reciprocitetit mes shteteve sovrane, pavarësisht se cili shtet me cilin./InLajmi/