Bakllavaja është ëmbëlsira pa të cilën kjo pjesë e menysë në tryezë nuk është njësoj. Ato që e gatuajnë e quajnë “mbretëreshë e ëmbëlsirave”.E përtej prejardhjes së saj, studiuesit thonë se prej Pakistanit e deri te Bosnja kjo ëmbëlsirë është “etnike”, “tradicionale”, “nostalgjike”, “rituale” e me radhë. Sido që të jetë, në shtëpitë e shqiptarëve të Kosovës mysafiri e merr për nder kur një copë bakllava i servohet.
E puna për të bërë një bakllava nuk është aspak e lehtë. Është e mundimshme dhe merr shumë kohë. Mbase kjo ka bërë që shumë gra të heqin dorë nga përgatitja e saj. Rrjedhimisht sot është njëri prej atyre bizneseve që u ka mundësuar vetëpunësim shumë grave. Dy prej tyre janë gra të reja. Blerina Shehu-Limani, me profesion psikologe, po i përkushtohet tërësisht punës me bakllava.
Njësoj edhe një tjetër grua, që për gazetën dëshiron të identifikohet vetëm si Egzona A. K. E përbashkëta e të dyjave është se vijnë nga Prizreni e janë të martuara në Prishtinë. Këtu e zhvillojnë veprimtarinë e tyre.
Aroma nëpër lagje e gara midis fqinjëve
Blerina Shehu-Limani është 33 vjeçe, dhe ka lindur në Prizren. Ka mbaruar shkollimin për psikologji në Universitetin e Prishtinës, e për një kohë në profesion të vet kishte gjetur punë në vendlindje. Ndërkohë është martuar e është bërë nënë e dy fëmijëve, të cilëve u është përkushtuar tërësisht, shkruan Koha.ne.
“Jam e martuar qe gjashtë vjet dhe jam nënë e Zanës dhe Lirës. Vendosa që t’i rrisja vetë, duke e ditur rolin e pazëvendësueshëm të nënës në atë fazë të zhvillimit të fëmijës”, thotë ajo. Ndërkohë që vajzat u rriten dhe u bënë për kopsht, Blerina nisi të kërkonte punë në profesion.