Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas marrjes së detyrës ka paralajmëruar rishikimin e vendimeve të marra pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në korrikun e vitit të kaluar. Por, Haki Shatri, këshilltar i Ramush Haradinajt, në kohën sa ishte kryeministër, ka thënë se ideja e Kurtit për rishikimin e vendimeve është fillim për ndryshim dhe spastrim.
Shatri ka thënë se ato vendime janë marrë duke u bazuar në Zyrën për Legjislacion.
“Është përgjegjësia dhe kompetencë e kryeministrit të ri, ka të drejtë të dyshojë mos janë vendime të padrejta. Çdo vendim që është marrë nga korriku e deri në ditën e zgjedhjeve të Qeverisë së re kanë qenë emergjente të bazuara në bazë të Zyrës për Legjislacion. Le të fillojnë me ndryshime që mund marrin një erë spastrimi”, u shpreh Shatri.
Ai ka folur edhe për prioritetin e Qeverisë se re, atë të heqjes së taksës dhe vendosjes se reciprocitetit, për të cilën shprehu dilemë se Kurti nuk e nënkupton reciprocitetin.
Gjithashtu Shatri theksoi se rishikimi i vendimeve do të ketë pasoja materiale.
“Revokimi i Qeverisë mund të ketë pasoja materiale dhe të rrjedhjes së ngjarjes që lidhen me strukturën që iu kanë ishkimi i vdestinua këto vendime. Nuk mund të jenë shumë sepse vendimet kanë qenë të matura dhe me një numër të kufizuara”, ka thënë Shatri
Kurse, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se vendimi i Kurtit për rishikim do të shfuqizojë vendimet që kanë shkaktuar pasoja dhe kanë qenë të dëmshme për vendin.
Ai potencoi se ky rishikim është i ligjshëm, por kërkoi nga Albin Kurti që mos të jetë arbitrar.
“Rishikimi i gjitha vendimeve që janë marrë nga qeveria e kaluar në dorëheqje nëse realizohet është e rëndësishme për të bërë një korrektim të gjitha atyre vendimeve që kanë prodhuara pasoja dhe janë të dëmshme për vendin dhe buxhetin e shtetit si dhe mirëqenien e qytetarëve. Procesi i rishikimit është i ligjshëm dhe mund të bëhet, por jo të ketë arbitraritet. Qeveria e kaluar në dorëheqje nuk ka pasur legjitimitet që të marr vendime”, tha ai.