Mbi 5 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës vetëm në vitin 2019, për të zgjedhur një nga shtetet e Bashkimit Evropian, të cilët nuk e lejojnë dyshtetësinë.
Nënshtetësitë që marrin më së shumti qytetarët e Kosovës janë nënshtetësia gjermane, austriake, sllovene, kroate etj.
Analistët politik vlerësojnë se numri kaq i madh i qytetarëve që kanë hequr dorë nga nënshtetësia është një çështje alarmante, por edhe shqetësuese, pasi një gjë e tillë mund të krijojë një krizë identitare.
Zogaj: Kosovës po i tjetërsohet tradita e amës kombëtare nga devijimet e substancës njerëzore
Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se Kosova është duke i përjetuar kriza politike dhe ekonomike e cila po thellohet dhe Kosova është duke i përjetuar pasojat, tashmë të pashërueshme dhe afatgjata, sepse kjo krizë është duke e lënduar rëndë edhe embrionin identitar, që nënkupton shprishjen etno gjenetike.

Sipas tij, Kosovës po i tjetërsohet tradita e amës kombëtare, nga devijimet e substancës njerëzore.
“Dëshmia më e mirë është heqja dorë nga nënshtetësia, që është manifesti më drastik i shpërbërjes identitare, sepse pjesa që heq dorë nga shtetësi e Kosovës, merr nënshtetësi tjetër dhe, automatikisht i nënshtrohet obligimeve të tjera. Pra ngarkohet me përgjegjësi të tjera, për ta kuptuar këtë fatkeqësi tragjike, le të kemi parasysh fatin e shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, që kurrë më nuk mund t’i rikthehet normalitetit të vet identitar. Kjo fatkeqësi u ka ndodhur edhe mbi 500 mijë shqiptarëve që në 30 vitet e kaluara kanë marrë nënshtetësi të vendeve të ndryshme të botës, dhe këtyre do t’u bashkëngjiten edhe 5 mijë qytetarët që viteve të fundit kanë hequr dorë nga nënshtetësia”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.
Ai ka thënë se, arsyeja e kësaj dukurie fatkeqe janë vështirësitë ekonomike e sociale të shkaktuara nga kriza e thellë politike dhe mosfunksionimi i shtetit ligjor që rrezikon ekzistencën e qytetarëve, të cilët janë të detyruar të përpiqen për mbijetesë.
“Prandaj, përmirësimi i gjendjes nuk mund të ndodh pa funksionimin e shtetit ligjor, duke fuqizuar përgjegjësinë qeverisëse të institucioneve, që duhet të çkapen nga strukturat e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që po e mbajnë të ngulfatur lirinë, pavarësinë dhe resurset zhvillimore të popullit të Kosovës”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.
Kadriaj tregon shkaktarët
Njohësi i çështjeve politike ekonomike, Mustafë Kadriaj, ka thënë se qytetari i lodhur nga mos perspektiva në vend, tani po tenton në çdo formë vetëm të largohet nga Kosova dhe si rezultat ka bërë që shumë qytetar të heqin dorë nga nënshtetsia e Kosovës.
Sipas tij, si shkaktar kryesor është korrupsioni u lart mos respektimi i mertikracisë në punë, pagat e ulëta të cilat nuk plotësoj as shportën esenciale të ushqimit e aq me pak shportën e veshmbathjes dhe luksit.
“Siguria në punë mungesa e sigurimit shëndetësor e të ngjashme të cilat kanë rënduar jetën e qytetarit duke marr hap duke ndërruar identitetin vetëm që të krijon një të ardhme për fëmijët e tyre. Si përfundim kush janë shkaktaret dhe ku është çelësi natyrisht që si rezultat i politik bërjes dhe keqqeverisjes në vend ka ndikuar që qytetari të merr hap aspak të lehtë për vetveten dhe njëherit me një vullnet politik dhe një strategji kombëtar për zhvillim ekonomik do të ngjallet shpresa tek qytetarët për të qëndruar në Kosovë. Por për fat jo të mirë duke marr parasysh gjendjen e tanishme politike dhe zvarritjen krijimit të institucioneve nga dy forcat politike si VV dhe LDK, ka bërë që edhe pak shpresa ia kanë vrarë qytetarit dhe rinisë në vend dhe ky është testi më i qartë, që kur rinia nuk dhe mundet për të jetuar në Kosovë. Kjo tregon mesë miri që egoizmi dhe apetitet e politikës në vend kanë bërë që qytetari të provoj çdo rrugë vetëm të largohet nga Kosova”, ka thënë njohësi i çështjeve ekonomike Mustafë Kadriaj.
Ahmeti: Stagnimi socio-ekonomik është njëri ndër faktorët që kanë determinuar procesin e vendimmarrjes për të hequr dorë nga nënshtetësia
Analisti i politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se faktorët socio-ekonomik por edhe politik i kanë sjellë qytetarët e Kosovës pranë një vendimi të dhimbshëm, por të domosdoshëm për ekzistencën e tyre.
“Nëse gjykojmë rastin e Kosovës që nga pas lufta atëherë shohim se stagnimi socio-ekonomik është njëri ndër faktorët e shumtë që kanë determinuar procesin e vendimmarrjes për të hequr dorë nga nënshtetësia. Momenti i marrjes së një vendimi të tillë nuk është i Ad Hoc, por për shkak i akumulimit të zhgënjimit e mllefit ndaj gjendjes së rënd socio-ekonomike që po mbi zotëron në realitetin e Kosovës. Por çdoherë shtrohet një çështje e cila jep mundësi për interpretime e analiza të ndryshme, është dilema e çështjes se, pse po largohen një pjesë e atyre që janë të punësuar në institucione publike, por edhe private? Gjykoj se në këtë rast kemi të bëjmë më një çështje tjetër, e cila ka të bëjë me mungesën e sigurisë në punë, mungesën e respektimit të drejtave të punëtorëve. Por në disa raste edhe nga presioni i vazhdueshëm nga eprorët e institucioneve, qoftë në ato institucione publike e private”, ka thënë analisti i politik Hidajet Ahmeti.
Sipas tij, mirëqenia qytetare nuk asocon vetëm me një pagë të dinjitetëshme, por ndërlidhet edhe me shërbimet publike e administrative të institucioneve, por edhe diçka që është mese e domosdoshme është siguria jo e mjaftueshme nga institucionet përgjegjëse, shkruan Bota Sot.
“Numri i qytetarëve që kanë heq dorë nga nënshtetësia është një çështje alarmante, por edhe shqetësuese jo vetëm për qeverinë por edhe qytetarët që jetojnë në Republikën e Kosovës, pasi në vazhdimësi po krijohet një krizë identitare. Kjo krizë identitare në një të ardhme do të ketë pasoja të pariparueshme për shtetin e Kosovës, pasi humbja e një pjese të identitetit shtetëror po humbet në momentin kur qytetarët po heqin dorë nga nënshtetësia. Kurse pjesën tjetër të identitetit po humbin në momentin kur bëhen pjesë e ndonjë kulture perëndimore dhe potencialisht për ta humbur në tersi identitetin shoqëror”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.