Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot është takuar me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian Joseph Borrell, i cili ka arritur në vizitë zyrtare në Beograd.
Pas bisedës me Vuçiqin, Borrell do të takohet rreth orës 15:30 edhe me kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiq.
Para vizitës në Serbi, Borrell ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug se ai personalisht do ta udhëheqë dialogun e Brukselit dhe do të jetë bashkëbiseduesi kryesor me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë.
Borrell ka përkujtuar se BE ka bërë me dije në mënyrë të qartë se “çelësi” për hyrje të Serbisë në anëtarësim është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nëpërmes të marrëveshjes gjithëpërfshirëse juridikisht të obligueshme si dhe reformat e brendshme me fokusim në sundimin e ligjit dhe liri të medieve.