Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kujtuar aktivistin e kësaj partie Hysni Hyseni nga Prizreni që sot ndërroi jetë.
Kurti ka shprehur dhimbje për vdekjen e të ndjerit , I cili ka thënë se humbja që e përjetoi është e vështirë, shkruan InLajmi.
Postimi i plotë:
Kur e vizitova para dhjetë ditëve ishte rëndë por kishte vetëdije, të nesërmen kishte përjetuar infarktin e parë, kurse dy ditë më vonë e gjeta në komë të intubuar.
Doda vdiq sot. Në QKUK në Prishtinë, në repartin intenziv të Klinikës Infektive, vdiq në mëngjes Hysni Hyseni – Doda, aktivist i dalluar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
As një vit nuk ishte më i moshuar se unë, por askush, e as unë, nuk mund të mateshim me të për nga aktiviteti i dendur që bënte.
Në protestën e 10 shkurtit 2007 ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, u patën plagosur e lënduar mbi 80 qytetarë, e më së rëndi pikërisht Hysni Hyseni nga Prizreni që humbi syrin e djathtë, Mustafë Nerjova nga Lubishda e Hasit që edhe sot e kësaj dite ka një pjesë plastike në kokë në vend të kafkës që ia çanë me plumb dhe Zenel Zeneli nga Bardhoshi i Prishtinës i cili ende i ka dy plumba në trup njërin shumë afër zemrës.
Ndryshimi në Prizren me fitoren e Mytaher Haskukës në vjeshtën e vitit 2017 do të ishte i pamundur pa punën e palodhshme të Dodës, i cili mua asokohe m’i mësoi të gjitha çajtoret e Kurillës dhe jo vetëm.
Ka lënë pas vetes gruan, katër vajzat dhe një djalë.
Dhembja që ndjejmë është e madhe, pikëllimi që na ka mbërthyer është i rëndë, humbja që përjetuam është e vështirë.
Kujtimi ynë për Dodën do të jetë përjetë i gjallë, porsi gjallëria e tij jetësore./InLajmi/