Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kritikuar ashpër politikën kosovare se thënë se marrëveshja e fundit me Serbinë tregon për këtë, shkruan InLajmi.
Krasniqi ka thënë se kjo është dëshmi e pakontestueshme se politika në Kosovë të vetmin përkushtim e ka marrjen e pushtetit për grabitje të parasë publike dhe atë pa asnjë bazë ligjore. Kjo praktikë grabitëse dhe antiligjore duhet të ndërpritet sa më parë! Ligji dhe jo Maliqi duhet të udhëheq me shtetin.
Postimi i plotë:
Sot, më 29 janar 2020, në mediet tona qarkulluan lajme të ndryshme për dy marrëveshjet (për komunikacion ajror e hekurudhor) të arritura në mes Serbisë dhe zyrtarëve të nivelit shumë të ultë të administratës shtetërore e publike të Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim, marrëveshjet në fjalë, pas veti kanë lënë shumë tym e mjegull?! Kanë lënë shumë të panjohura. Nuk është botuar në mediet tona as edhe një tekst i shkruar i këtyre marrëveshjeve?! Nuk e di, nëse Kryetari i Republikës së Kosovës dhe Kryeministri në detyrë, i tërhequr para katër/pesë muajve me një arsyetim absurd, përveç “urimeve e përshëndetjeve”, nuk kane ofruar asnjë shpjegim institucional. Madje ky i fundit këto marrëveshje i ka quajtur “marrëveshje shumë të mëdha” (këtë e përktheva në gjuhën shqipe). Ndërsa sot paska thënë: “Dy marrëveshjet janë ndihmesë e qytetarëve dhe në ndihmesë tonën. Ne më shumë i japim përkrahje qytetarëve tanë”. Nëse është kështu siç ka thënë Ramushi, do të duhej të ishte më sqarues. Çka i kanë ndihmuar këto “marrëveshje” qytetarët tanë, e çka është “në ndihmesë tonën”? Dhe jo vetëm kaq, por ky do të duhej ta sqaronte opinionin shqiptar: A ka qenë dhe sa ka qenë në dijeni për këto marrëveshjeje? A ka pasur ndonjë njohuri paraprake? Ai nuk po është korrekt me opinionin kur po thotë: “Taksën nuk e heq” dhe “marrëveshjet” për të cilat nuk po duket se ka qenë në dijeni, t’i lavdëron se na qenkan “në ndihmesë të qytetarëve dhe në ndihmesën tonë”. Edhe pse është tepër herët për të folur për të mirën e këtyre marrëveshjeve?!
Në të njëjtën ditë, po për këto marrëveshje, diplomat e analistë nga bota e perëndimit, shfaqin dyshime të shumta. Për situatën në Ballkan, shfaqet plotë dyshime, njohësi shumë i mirë i raporteve në ketë pjesë të Europës, analisti amerikan Bugajski. Bugajski për veç frikës që ka për shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan, e ky ndikim më i dukshëm është mbi politikën serbe të Beogradit. Për këtë analist, plotë dyshim është ideja për shkëmbimin e territoreve midis Prishtinës e Beogradi, ide kjo që mbështetet nga Moska. Ndërsa diplomati suedez, Carl Bildt, thotë se zgjedhja e Trump-it për “Kosovën do t’i pëlqente edhe ish kriminelit serb Millosheviq”. Sipas diplomatit suedez, Bildt Serbia me këto marrëveshje, përkatësisht “forcat serbe të sigurisë kanë gjithçka në kontroll, përfshirë kufijtë, hapësirën ajrore, hapësirën digjitale dhe tregtinë”. Dhe vazhdon diplomati: “në gjithë këto histori kosovarët (shqiptarët) kanë të drejta shumë të kufizuara”. Kjo që thotë ky diplomat i njohur suedez, janë shumë shqetësuese dhe duhet të merren seriozisht. Mendim të ngjashëm me të parët ka edhe analisti gjerman, Bodo Weber, i cili thotë se: “marrëveshjet parimore Kosovë-Serbi që po nënshkruhen me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit Special Presidencial, Grenell, nuk ofrojnë zgjidhje për zhbllokimin e dialogut Kosovë-Serbi”. Të gjithë autorët e përmendur, janë njohës të mirë të rrethanave në Ballkan, e në mënyrë të veçantë, kanë njohuri të shumta për raportet shqiptaro-serbe. Prandaj politika shqiptare në përgjithësi e kjo e Kosovës në veçanti duhet t’i marrin seriozisht. Por, kjo vështirë që do të ndodh pasi politika shqiptare është më shumë se e çakorduar.
Të përfundojmë, Shfaqja e shqetësimeve nga të tjerët për situatën e re të krijuar në raportet shqiptare e serbe, dhe jo serioziteti i politikës në Kosovë për të njëjtat raporte, është më shumë se shqetësuese. Shqetësimi sa vije e rritet edhe për faktin se në këto momente Kosova nuk ka institucione të qëndrueshme, qeveria është në shkuarje, por edhe kur ishte në mandatin e saj nuk kishte ndonjë përgjegjësi e funksionim për të qenë, veç këtyre, politika jonë është si e pakrye. Për fat të keq, as zgjedhjet e fundit nuk sollën ndryshim për të qenë.
Në një situatë të tillë, do të ishte krejt e domosdoshme që të gjitha partitë politike, e veçmas kandidatët e partive politike, që në zgjedhje e 6 tetorit garuan për Kryeministër, do të ishte krejt normale që para opinionit të dilnin me qëndrimet zyrtare të partive të tyre politike. Po e them ketë pasi politika në Kosovë ka vite që edhe për çështjet më vitale për shtetin e kombin, për asgjë nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët.
Kjo është dëshmi e pakontestueshme se politika në Kosovë të vetmin përkushtim e ka marrjen e pushtetit për grabitje të parasë publike dhe atë pa asnjë bazë ligjore. Kjo praktikë grabitëse dhe antiligjore duhet të ndërpritet sa më parë! Ligji dhe jo Maliqi duhet të udhëheq me shtetin.