Të akuzuarit në rastin “Syri i Popullit”, Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, janë shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera.
Për Murat Jasharin, personin që tentoi të vriste avokatin Azem Vallsi, gjykata ka shqiptuar trajtim të detyrueshëm psikiatrik prej 10 vjetësh.
Vendimi në fjalë është marrë për shkak të gjendjes së tij, ndërkaq që po ashtu të njëjtit i është konfiskuar arma.
Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Atij do t’i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMË”, me targa te huaja.
Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja është dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova është dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana është dënuar me 2 vjet.
Ndërkaq, Behxhet Luzha për mos lajmërim të veprës penale është dënuar me 2 vjet burg.
Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha janë dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha është dënuar edhe me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, shkruan lajmi.net.
Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha refuzohet aktakuza, pasi që prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale.