Është e pamundur të gjesh një Shkurtë si vajzë të vetme në familje. Shkurta gjithmonë është një vajzë që ka shumë motra.
Emri i saj është ndër 100 emrat që më së shumti përdoret në Kosovë. Por, përdorimi i tij nuk lidhet me pëlqimin që kanë prindërit për të. U vendoset vajzave me një qëllim të vetëm – që pas tyre të mos lindë më edhe një vajzë.
“Të shkurtohet lindja e vajzave!”. Kjo është vetëm njëra ndër besëtytnitë në të cilat besojnë kosovarët. Përveç kësaj, ka edhe emra të tjerë, si Sose, Grishë ose pagëzimi i vajzave në emër të nënës ose të tezës, që përdoren, po me këtë logjikë. Ato thuhet se nuk kanë bazë në religjion, ndërkohë në aspektin sociologjik kjo shpjegohet si besim që gjërat dhe e ardhmja mund të përcaktohen nga emërimi i së tashmes.
Mosbesimi i të pagëzuarave
Por në shumë raste kjo besëtytni nuk ka funksionuar, e vetë vajzat që bartin emra të tillë në rrëfimet e tyre tregojnë se si fare nuk i besojnë asaj në bazë të së cilës janë pagëzuar.
Shkurta S., 25 vjeçe, e cila ka përfunduar studimet master në Universitetin e Prishtinës, thotë se emri i është vendosur në rrethana të ndryshme nga ato të ditëve të sotme dhe pikërisht me qëllimin që pas saj, që është vajza e katërt në familje, të lindte një djalë.
“Familja ime me pagëzoi me emrin Shkurte, mendoj në rrethana traditash ose besëtytnish, pasi që në vitin 1994 kur unë kam lindur besohej se pas vendosjes së emrit Shkurte në atë familje do të vinte një djalë”, ka treguar Shkurta.
Ajo tregon se emri i është vendosur për shkak të dëshirës së madhe që kishin prindërit e saj për të pasur një fëmije të gjinisë tjetër.
“Për arsye se prindërit dëshironin që të kishin edhe një djalë në familje dhe mendonin se pas meje fëmija tjetër do të ishte djalë”, ka rrëfyer Shkurta, shkruan Koha.net.
Ajo ka thënë se përkundër që nuk i beson besëtytnisë në bazë të së cilës i është vënë emri, atë nuk e pengon që e ka këtë emër dhe se emri i pëlqen..