Kreu i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, sot do të takohen për here të tretë radhazi ku do të bëjnë përpjeke të arrijnë marrëveshje.
Kjo më në fund mund të ndodh, gjithnjë duke u bazuar në deklaratat e dhëna mbrëmë nga zyrtarët e dy partive që deklaruan se “ka lëvizje”.
Veç nëse sot arrihet marrëveshja dhe nënshkruhet koalicioni për formimin e qeverisë me kryeministër Albin Kurtin, ky i fundit do ta ketë një të përbashkët me “armikun” e tij Hashim Thaçi.
Arsyeja është se saktësisht 12 vite më parë Thaçi u bë kryeministër i vendit, pasi më 9 janar 2008 u formua koalicioni qeveritar mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Qeveria përbehej nga kryeministri, dy zëvendëskryeministra dhe 17 ministra.

Qeveria u formua pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, ku Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fitoi 34% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori 23% të votave, pasuar nga Aleanca Kosova e Re (AKR), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD).
Përkushtimi kryesor i kësaj qeverie dhe i Kuvendit të Kosovës, ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës, shkruan fakteplus.
Më 17 shkurt 2008, ligjvënësit e Kosovës kryen aktin historik, nënshkruan dhe miratuan Deklaratën e Pavarësisë.