Në këtë intervistë, ai ka thënë se është e padrejtë që kjo parti t’i kërkojë shtatë ministri ose t’i kthehet posti i kryeparlamentarit dhe pesë ministri.
Tahiri ka deklaruar se nëse nuk ka marrëveshje LV – LDK presidenti duhet ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër edhe pa propozim formal të LV-së.
Ai ka treguar se presidenti këtë mund ta bëjë duke u thirrur në konsultimin që ka pasur me të dhe në videomesazhin që Kurti ka publikuar në “Facebook”, përmes të cilit ka treguar se është kandidat i LV-së për kryeministër dhe ka propozuar ministrat e subjektit të tij.
Tahiri ka thënë se nëse shkohet në zgjedhje të reja, PDK-ja bëhet bashkë me Nismën mund të dalë e para dhe PAN-i mund të vijë në qeveri dhe LV-ja e LDK-ja të kalojnë në opozitë, shkruan Epoka e Re.
Z. Tahiri, as takimi i tretë i kësaj jave në mes të LV-së dhe LDK-së nuk ka sjellë ndonjë marrëveshje. Cili është komenti juaj?
Tahiri: Është keq që nuk po ka rezultat për arritjen e marrëveshjes për koalicion në mes të LDK-së dhe LV-së. Edhe më keq është që nuk po bëhen publike dallimet se për çka nuk po arrihet kjo marrëveshje. Opinioni me të drejtë ose pa të drejtë po konsideron se LDK-ja me kërkesat për shtatë ministri faktikisht po e bllokon procesin e marrëveshjes, sepse po i vendos në pozitë shumë të keqe Albin Kurtin dhe LV-në. Se a është e vërtetë që LDK-ja po i kërkon shtatë ministri këtë do ta dimë nëse marrëveshja nuk arrihet përfundimisht, sepse atëherë palët duhet të tregojnë se ku i kanë pasur dallimet.