Si deputetët e legjislaturave të kaluara, ashtu edhe ata që për herë të parë janë bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës, përveç pozitës së deputetit, mbajnë edhe punë të tjera. Ligji obligon ata që në afat prej 15 ditësh të deklarojnë se cilën pagë dhe cilën punë do ta kenë parësore.
Deputeti nuk guxon të ushtrojë funksione të larta shtetërore
Në bazë të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ndalohet ushtrimi i pozitave të larta shtetërore nga të zgjedhurit e popullit. Në Nenin 6, në pikën 1 dhe në pikën 2, përcaktohet qartë se çfarë ndodh me deputetët në rast të zgjedhjes në pozita të larta shtetërore. “1. Deputeti njëkohësisht nuk mund të jetë kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër ose zëvendësministër. 2. Me rastin e emërimit të një deputeti në funksionet e parapara në paragrafin 1 të këtij Neni mandati i tij përfundon në ditën e emërimit të tij si anëtar i qeverisë”.
Së fundmi Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy deputetë të sapozgjedhur në pozita të larta shtetërore. Si zëvendëskryeministër të dytë kreu i LVV-së Albin Kurti ka propozuar deputetin Haki Abazin, teksa për ministre të drejtësisë deputeten Albulena Haxhiun. Në bazë të ligjit që është në fuqi, nëse të dy këta vihen në krye të këtyre pozitave u merret pozita e deputetit.
Cilat punë nuk mund t’i kryejë deputeti?
Në Nenin 7 të këtij ligji, i cili përmban gjithsej pesë pika, përcaktohen qartë edhe pozitat tjera, në të cilat nuk mund të punojë një deputet. “1. Deputeti nuk mund të jetë anëtar i bordit në ndonjë kompani private ose publike; 2. Deputeti, gjatë mandatit të tij, nuk mund të veprojë në cilësinë e këshilltarit ose të përfaqësuesit ligjor në asnjë kompani ose biznes”, thuhet në këtë nen, shkruan Zeri.
Po ashtu, duke u bazuar në këtë ligj, deputetët nuk kanë të drejtë të punojnë as si kryeredaktor në medie e as në cilësinë e avokatit. “3. Deputeti nuk mund të jetë kryeredaktor ose zëvendëskryeredaktor në medie të shkruara ose elektronike, me përjashtim të atyre partiake; 4. Deputeti, gjatë mandatit të tij, nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e avokatit; 5. Deputeti nuk mund të kryejë aktivitete ekonomike, që krijojnë konflikt të interesit”, thuhet më tutje.