Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka publikuar disa dokumente.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, ka bërë të ditur se Serbia në kohën e luftës në Kosovë, kishte angazhuar serbët e Gjakovës që të kryenin krime ndaj civilëve të këtij qyteti, shkruan InLajmi.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zyberaj ka publikuar disa dokumente të cilat ai thotë e dëshmojnë një gjë të tillë në ndodhur në Gjakovë pasi që sipas këtyre dokumenteve, serbët e Gjakovës edhe ishin paguar për këtë.
Postimi i plotë i Zyberajt:
Serbia ka kryer një nga krimet më të rënda në Gjakovë.
Ajo angazhoi ushtarë dhe paramilitar mbi baza mercenare. Serbia nuk kursente asnjë mjet vetëm për të vrarë shqiptarët. Dhe për fat të keq, disa nga ata që organizuan vrasjet në të kaluarën kanë ardhur me civilë çdo vit në Gjakovë për të provokuar familjet, pa iu hyrë therrë në këmbë.
Këta mercenarë serbë, siç dëshmohet edhe nga dokumentet, i përkisnin njësive “PJP – Posebne Jedinice Policije”, të cilat njihen për krimet makabre që i kanë bërë në Komunën e Gjakovës, ku llogariten gjithsej mbi 3 mijë të vrarë dhe të zhdukur.
Shumë prej këtyre emrave në këto lista janë serbë që kanë jetuar para luftës në Kosovë.
Ish MUP-i serb në Gjakovë shihet se ata i ka paguar me një mesatare prej 96 dinarë në ditë ose rreth 40 marka të asaj kohe.
Sipas statistikave zyrtare, Kosovës i mungojnë ende edhe 1721 qytetarë të zhdukur gjatë luftës, derisa si krime serbe në viktima prej periudhës janar 1998 – qershor 1999 në Kosovë janë edhe 11,840 të vrarë e maskaruar shqiptarë, ku prej tyre janë 1,392 fëmijë deri në 18 vjeç, 296 fëmijë deri në 5 vjeç, 1739 femra, 1882 të moshuar mbi 65 vjeç dhe mbi 22 mijë gra të dhunuara./InLajmi