Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se të hënën, më 6 janar, do të mbajë mbledhjen e Grupit Parlamentar si dhe mbledhjen e Kryesisë së partisë në selinë qendrore.
Në njoftimin e LDK-së bëhet e ditur se mbledhja e Grupit Parlamentar do të nisë në orën 13:00, ndërsa një orë e gjysmë më pas do të mbahet mbledhja e Kryesisë.
Mbledhjet do të mbahen në të njëjtën ditë kur pritet edhe takimi mes kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi për konsultim për mandatar të qeverisë, transmeton IndeksOnline.
LDK-ja e Vetëvendosje kanë biseduar qe një kohë të gjatë për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje. Një gjë e tillë s’është arritur për shkak të mospajtimeve për postin e presidentit, që do të zgjidhet më 2021. Pavarësisht mospajtimit për bashkëqeverisje, më 26 dhjetor në seancën konstituive të Kuvendit LDK-ja votoi pro Glauk Konjufcës së Vetëvendosjes për kryeparlamentar. Të dyja partitë kishin thënë më pas se do t’i vazhdojnë bisedimet për arritjen e marrëveshjes.