Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se Uashingtoni ka identifikuar 52 “pozicione iraniane” që do të sulmojë “shumë shpejt dhe shumë fuqishëm” nëse Teherani kryen ndonjë sulm në caqet amerikane, si shenjë hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani.
“Irani po flet me shumë guxim për sulmet ndaj disa aseteve të SHBA-së në shenjë hakmarrjeje për shkak se ne vramë liderin e tyre të terrorizmit, i cili sapo kishte vrarë një amerikan dhe plagosi disa të tjerë, për të mos përmendur edhe njerëzit e tjerë që ai kishte vrarë gjatë jetës së tij, përfshirë edhe kohëve të fundit qindra protestues iranianë”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Twitter.
Trump shtoi se Qasem Soleimani, që u vra nga një sulm me dron i kryer nga SHBA-ja, teksa po udhëtonte në Irak më 3 janar, kishte sulmuar ambasadën amerikane në Bagdad dhe po “përgatiste sulme të tjera në lokacione të ndryshme”.
“Irani, viteve të fundit ka sjell vetëm probleme. Le të shërbejë si PARALAJMËRIM se sulmet e Iranit ndaj çdo amerikani apo aseteve amerikane, ne kemi 52 lokacione iraniane (që përfaqësojnë 52 amerikanë të marrë peng nga Irani shumë vite më parë), disa në nivel shumë të lartë dhe të rëndësishëm për Iranin dhe kulturën iraniane”, tha Trump.
Trump shkroi se “këto caqe edhe vetë Irani, do të kryhen sulme shumë të shpejta dhe të fuqishme. SHBA-ja nuk do më kërcënime”.
Referenca e Trumpit për pengjet amerikane, i referohet marrjes nën kontroll të ambasadës amerikane në Teheran më 1979 nga revolucionarët iranianë, ku 52 amerikanë u mbajtën peng për 444 ditë.
Ndërkaq, përmendja nga presidenti amerikan për lokacionet kulturore, ngriti mjaft shqetësime në mesin e kritikëve.
Colin Kahl, i cili ka qenë zyrtar i sigurisë kombëtare në administratën e ish-presidentit Barack Obama, ka shkruar në Twitter se ai e kishte të vështirë “të besoj se Pentagoni do t’i jepte të dhëna Trumpit për lokacione të ndryshme, përfshirë ato kulturore. Trump mund të mos brengoset për ligjet e luftës, por Departamenti i Mbrojtjes dhe avokatët brengosen… dhe sulmi ndaj pozicioneve kulturore përbën krim lufte”.